Ageler: Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, në SHBA do të ketë mëdyshje për përkushtimin e RMV-së në BE

Ambasadorja e SHBA-së në vend, Anxhela Ageler beson se është i qartë dhe i rëndësishëm mesazhi i senatorit amerikan Kris Marfi se vendimet e vështira për progres në integrimet euro-atlantike duhet të bëhen deri në fund të vitit, njofton Portalb.

Ageler, e cila sot ishte në Kavadar në ditën e hapur të organizuar në kuadër të stërvitjes “Përgjigje e shpejtë 23” ku po prezantohen një pjesë e automjeteve, armatimi dhe pajisja që do të përdoret në këtë stërvitje, e pyetur për ta komentuar deklaratën e senatorit Marfi, tha se ai ka qenë me të vërtetë i qartë në deklaratën e tij.

“Nuk dua ta interpretojë atë që e tha senatori, besoj që ishte shumë shumë i qartë. Unë isha me të në të gjithë bisedat e tij. Mendoj se poenta e tij ishte një poentë e rëndësishme që nëse deri në fund të vitit nuk merren vendimet e vështira për të hapëruar përpara në integrimin euroatlantik, do të ketë prej atyre në SHBA, në Shtëpinë e Bardhë, në Capitol Hill, ligjvënësit tanë, që do të kenë mëdyshje nëse ky vend është plotësisht i përkushtuar në rrugën euroatlantike, që mendoj se është e fuqishme përmes anëtarësimit në NATO, që është shumë me rëndësi”, tha Ageler.

Ambasadori holandez në vendin tonë, Dirk Jan Kop sot theksoi se është i bindur se nëse Preambula e Kushtetutës ndryshohet, atëherë faza e dytë e negociatave është automatike dhe nuk mund të ketë aty veto. Ai shtoi edhe se VMRO-DPMNE-ja rrezikon që të prolongohet anëtarësimin në BE për më së paku tre-katër vite.

“Nëse i dëgjoni VMRO-DPMNE-në, do të vëreni se kjo parti nuk ka problem me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje. Çfarë është ajo që i detyroi të jenë jashë kësaj, nuk ka lidhje me Bullgarinë. Këto janë marrëzira. Nuk ka marrëveshje më të mirë se kjo. Kjo është absolutisht marrëveshja më e mirë që Maqedonia e Veriut ka mundur ta marrë. Sipas meje, kjo që po ndodhë është që VMRO-DPMNE-ja rrezikon që të prolongohet anëtarësimi në BE për më së paku tre, katër vite dhe mendoj se nuk është mënyrë e mirë e sjelljes dhe mund të jetë dëshpëruese, nëse kjo ndodh. Tani është momenti”, thekson Kop.