Kasami dhe Taravari për tensionet në veri: Veprimet e Kosovës për të ruajtur sovranitetin në veri janë normale dhe legjitime

Në lidhje me tensionet në veri të Kosovës kanë reaguar krerët e partive politike në vend, Lëvizjes Besa – Bilall Kasami dhe Aleancës për Shqiptarët – Arben Taravari. Ata theksuan se mbështesin Kosovën në mbrojtjen e sovranitetit në veri, transmeton Portalb.mk.

Bilall Kasami shkroi se  Kosova është shtet i pavarur dhe duhet ta shtrijë juridiksionin e vetë në gjithë territorin.

“Sovraniteti territorial nënkupton respektim të ligjeve në çdo cep të shtetit, pra edhe në veri të Kosovës, në komunat ku ka kryetar komunash që janë zgjedhur në mënyrë legale dhe legjitime. Pavarësisht nga reagimet qëllimmira të partnerëve ndërkombëtar, shteti i Kosovës e ka për detyrë që mbi principet demokratike dhe të respektimit të ligjit ta shtrijë sovranitetin në gjithë territorin për funksionim normal të institucioneve. Principet e shtetit ligjor dhe të vlerave demokratike nuk mund të jenë përjashtim për veriun e Kosovës vetëm e vetëm pse Serbia ka aspirata ekspansioniste dhe bandat e saj paraushtarake duan ta cenojnë sovranitetin e Kosovës. Mbështesim pa rezervë shtrirjen e juridiksionit në gjithë territorin e Kosovës dhe mbështesim institucionet demokratike të Republikës së Kosovës në sprovën e madhe për respektim të ligjit dhe vlerave demokratike”, tha Kasami.

Nga ana tjetër, Arben Taravari tha se veprimet e Kosovës për të mbajtur Sovranitetin në Veri janë sa normale aq edhe legjitime dhe se dhuna e protestuesve serb ndaj policisë së  Kosovës dhe ushtarëve të KFOR-it është e pa tolerueshme.

“Kemi ndjekur me shqetësim situatën e krijuar në Veri të Kosovës. Zyrtarët serb braktisën dhe bojkotuan institucionet e Kosovës në 4 Komuna të saj. Krejt normalisht dhe sidomos sipas ligjit, në krye të këtyre institucioneve u vendosën 4 drejtues shqiptarë. Për ironi të fatit serbët i kanë pritur këto zgjedhje me protesta të dhunshme. E dënojmë ashpër dhunën e përdorur nga protestuesit serb  ndaj policëve shqiptarë dhe ushtarëve të KFOR-it, të cilët po kryejnë misionin e tyre në bazë të autorizimeve dhe kompetencave te tyre. Mbështesim pa asnjë mëdyshje Qeverinë e Kosovës dhe Kryeministrin Albin Kurti.  Kjo qeveri është krejt e drejtë në veprimet e saj për të ushtruar sovranitetin e saj në Veri të Kosovës si detyrim kushtetues. Duke ndjetur në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar duke përkrahur dhe mbështetur çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të iniciuar nga BE dhe SHBA, për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të rifillojnë dialogun politik, duke kontribuar për normalizimin e situatës së plotë në Veri të Kosovës e cila fatkeqësisht ka tendenca eskalimi”, tha Taravari.

Qeveria e Kosovës ka akuzuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste” në veri të vendit, prej ku u plagosën dhjetëra pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjatë përleshjeve me protestuesit në komunën veriore të Zveçanit, transmeton Radio Evropa e Lirë.

KFOR-i ka bërë të ditur se rreth 25 ushtarë të tyre janë lënduar nga përleshjet e së hënës para ndërtesës së komunës së Zveccanit.

Gjithashtu, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) tha se një makinë e një ekipi medial është djegur në Zubin Potok, teksa në veri të Kosovës janë regjistruar edhe disa tentim-sulme dhe vandalizime të makinave të ekipeve të gazetarëve.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë arrestuar pesë persona të dyshuar për sulmet dhe dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në komunën e Zveçanit.

Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.