RMV, gjërat po përkeqësohen, nuk ka progres në luftën kundër korrupsionit, vlerëson ambasadori Kop

Ambasadori holandez në vendin tonë, Dirk Jan Kop vlerëson se Qeveria nuk ka progres në luftën kundër korrupsionit, por që gjërat po përkeqësohen, njofton Portalb.

Ai në intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se nuk ka arsye për optimizëm.

“Nuk shohim ndonjë progres, përkundrazi, konsiderojmë se gjërat po përkeqësohen. Ekziston korrupsion gjithkund, konflikt interesash, ndikim ndaj sektorit joqeveritar, nepotizëm, klientelizëm, ndërsa rekomandimet nga Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit dhe Avokatit të Popullit nuk respektohen nga askush, as nga Qeveria dhe as nga Parlamenti, as nga Prokuroria. Në fakt, raporti i sivjetmë nga Komisioni i Antikorrupsionit tregon se 10 për qind e ankesave janë përpunuar, kjo është shumë më pak edhe në krahasim me 20 për qind në raportin nga viti 2021, i cili ende nuk është shqyrtuar nga Parlamenti në dy vitet e fundit, diçka që duhej të bëhet. Për këtë arsye nuk ka arsye për optimizëm. Siç thash edhe më herët, korrupsioni është gjendje e trurit. Është prezente kudo. Ai është pjesë e mentalitetit dhe duhet të ndryshohet tani, sepse nëse dëshironi të jeni pjesë e Unionit në procesin e negociatave, kjo gjendje me mentalitetin dhe vullnetin politik së bashku me mosndëshkimin e cila shkon me këtë dhe e cila është më e urryera nga qytetarët, menjëherë duhet të ndryshojë. Në të kundërtën, dëshira që të bëheni pjesë e BE-së në vitin 2023, do të bëhet iluzion”, thotë Kop.

Lidhur me besimin e qytetarëve në gjyqësi, Kop vlerëson se pas ndodhive në Këshillin gjyqësor rreth shkarkimit të kryetares edhe ky trup tashmë nuk është legjitim. Për shkak të atij precedenti, siç thotë Kop, Holanda ka vendosur nëpushim një projekt të madh të lidhur me Këshillin gjyqësor.

Ambasador bind se nëse Preambula e Kushtetutës ndryshohet, atëherë faza e dytë e negociatave është automatike dhe nuk mund të ketë aty veto. Ai shtoi edhe se VMRO-DPMNE-ja rrezikon që të prolongohet anëtarësimin në BE për më së paku tre-katër vite.

“Nëse i dëgjoni VMRO-DPMNE-në, do të vëreni se kjo parti nuk ka problem me përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje. Çfarë është ajo që i detyroi të jenë jashë kësaj, nuk ka lidhje me Bullgarinë. Këto janë marrëzira. Nuk ka marrëveshje më të mirë se kjo. Kjo është absolutisht marrëveshja më e mirë që Maqedonia e Veriut ka mundur ta marrë. Sipas meje, kjo që po ndodhë është që VMRO-DPMNE-ja rrezikon që të prolongohet anëtarësimi në BE për më së paku tre, katër vite dhe mendoj se nuk është mënyrë e mirë e sjelljes dhe mund të jetë dëshpëruese, nëse kjo ndodh. Tani është momenti”, thekson Kop.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Sidoqoftë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve apo me votat e 80 deputetëve nga 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. Shumica parlamentare ka 74 deputetë, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.