Mickoski: Disa prokurorë dhe gjyqtarë shpesh mbrohen nga politikanë që vijnë nga Reçica e Vogël ose “Bihaçka”

Kryeministri Hristijan Mickoski tha sot se gjashtë ligjet e destinuara për Këshillin Gjyqësor, Këshillin e Prokurorëve Publikë, prokurorët, gjyqtarët dhe shërbimet do të miratohen deri në fund të dhjetorit në përputhje me Planin e Rritjes, dhe përqindja për rritjen e buxhetit për gjyqësorin do të bëhet në përputhje me një analizë krahasuese që është duke u përgatitur aktualisht, dhe si shembull merren pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian, transmeton Portalb.mk.

Ai e deklaroi këtë në përgjigje të pyetjeve gazetareske në lidhje me reagimin e Shoqatës së Gjyqtarëve se pagat e gjyqtarëve dhe zyrtarëve gjyqësorë janë më të ulëtat në rajon, për akuzën e opozitës për bllokimin e agjendës së reformave për shkak të ligjeve që duhet të miratohen në gjyqësor, si dhe nëse do të ndryshojë mendje për rritjen e buxheteve në gjyqësor dhe prokurori.

Sipas tij, për të gjithë publikun është e qartë se nuk bëhet fjalë për reforma thelbësore në gjyqësor dhe prokurori, por për rritje të buxheteve me qëllim rritjen e pagave të tyre.

“Tani i gjithë opinioni maqedonas e ka të qartë se nuk bëhet fjalë për reforma esenciale në Gjyqësor dhe në Prokurori, por flasim për rritje të buxheteve, me qëllim të rritjes së pagave. Kjo është reforma dhe është mirë që tani opinioni maqedonas mund të gjykojë. Atyre, të cilëve po iu referohem, dhe nuk flas për të gjithë, po e përsëris, të më falin, ka edhe të tillë që e kryejnë punën e tyre sipas Ligjit dhe Kushtetutës, por ka një pjesë të vogël që e rrezikojnë këtë proces, si prokurorë ashtu edhe gjyqtarë, të cilët nuk e meritojnë as këtë pagë që e marrin”, tha ai.

Ai theksoi se askush nuk është kundër ndryshimeve në dy Ligjet për Shërbimin Prokurorial dhe Gjyqësor, pra që pagat për administratën, për punonjësit në gjykata dhe prokurori do të rriten, gjë që është pjesë e negociatave që po zhvillohen me sindikatat.

“Këtu askush nuk është kundër dhe do ta realizojmë, sepse diskrepanca është pesë, shtatë me një, midis asistentëve dhe ndihmësve të tyre dhe vetë prokurorëve dhe gjyqtarëve. Dhe do të fillojmë një seri të tërë rastesh mbi mënyrën se si kanë gjykuar gjyqtarë të caktuar dhe si kanë vepruar prokurorë të caktuar.  Le të gjykojë opinioni dhe ata në Bruksel nëse këta njerëz që janë gjeneratorë të korrupsionit në vend, në vend që të luftojnë kundër tij, e meritojnë këtë pagë, nëse duhet të kenë një buxhet prej 260 milionë dollarësh”, thotë Mickoski.

Ai nuk pret, siç tha ai, që ata që emëruan këta gjyqtarë dhe prokurorë të kenë ndonjë qëndrim tjetër ndaj tyre përveç atij mbrojtës.

“Kush i mbron prokurorët dhe gjyqtarët, përsëri e përsëris, po distancohem, nuk e kam fjalën për të gjithë, por për një numër të vogël. Nuk mendoj për të gjithë, mendoj për një numër i vogël. Këto janë zakonisht ata politikanë që vijnë nga Reçica e Vogël ose Bihaçka, sepse ata janë bastioni i tyre i fundit për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin nga e kaluara. Sepse janë të vetëdijshëm dhe të frikësuar dhe kjo është shumë e rëndësishme, të frikësuar se ai ligj kontrabandues që e kaluan, ose ndryshimet në atë ligj kontrabandues që e kaluan me flamurin evropian në Parlament, nuk është i mjaftueshëm që të shpëtojnë. Dhe ka edhe dispozita të tjera që e identifikojnë krimin e tyre. Dhe për të cilin ata duhet të japin llogari. Por me këta gjyqtarë dhe prokurorë, e përsëris, të mos kuptohem gabimisht, disa prej tyre që janë bastioni i fundit në mbrojtje të Qeverisë së mëparshme të LSDM-së dhe BDI-së, drejtësia është e pamundur”, tha kryeministri.

Ai njoftoi se pas zgjedhjeve lokale do të gjejnë të gjitha masat ligjore, pavarësisht kritikave, që të kemi prokurorë që akuzojnë dhe gjyqtarë që gjykojnë sipas ligjit dhe Kushtetutës.

Pas zgjedhjeve, ai njoftoi edhe punësime në prokurorinë publike dhe shërbimin gjyqësor.

Mickoski përsëriti dje qëndrimin e tij se nuk pajtohet që gjyqtarët dhe prokurorët të marrin paga më të larta, siç parashikohet nga ligjet e reformës në gjyqësor, sepse vendimet që marrin dhe vlerësimet që kanë, sipas tij, tregojnë se ata nuk i meritojnë as ato që i marrin.

Shoqata e Gjyqtarëve reagoi më pas ndaj deklaratës së tij dhe theksoi se pagat e gjyqtarëve dhe zyrtarëve të gjykatave janë më të ulëtat në rajon dhe më gjerë.

Përndryshe, në politikën e Maqedonisë së Veriut, kur dikush përmend “Bihaçka”, në fakt i referohet selisë së LSDM-së, pasi partia ka selinë e saj në rrugën “Bihaçka” në Shkup. Në mënyrë të ngjashme, kur përmendet “Reçica e Vogël”, është një referencë për selinë e BDI-së në Tetovë.