Mexhiti sërish premtoi se nuk do të vonohet terapia e diabetit, por diabetikët nuk heqin dorë nga protesta

Sa të jem unë ministër, nuk do të ketë më vonesa në furnizimin e barnave, tha sot ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, në takimin me përfaqësuesit e Lidhjen e Shoqatave të Diabetikëve të RMV-së, të cilët për sot me fillim prej orës 19 kanë organizuar protestë për shkak se terapia për diabet është vonuar tanimë shtatë muaj.

Mexhiti sot është takuar me përfaqësuesit e shoqatave, ndërkaq në takim kanë qenë të pranishëm edhe shërbimet profesionale të ministrisë, por edhe kryetari I Komisionit për Diabet, Irfan Ahmeti.

“Ne po bëjmë gjithçka që kemi për të përfunduar sa më parë procedurat ligjore të cilat duhet t’i respektojmë si institucion. Siç kemi informuar disa herë, aktualisht janë në vijim procedurat e ankimimit për blerjen e kasetave, procedurë kjo që nuk varet nga ministria. Nëse Komisioni i shkallës së dytë e refuzon ankesën, menjëherë do t’i qasemi nënshkrimit të kontratës për blerjen e shiritave dhe glukometrave për pacientët me tip 1 dhe tip 2, ka thënë Mexhiti”, thonë nga (MSH).

Ai u sqaroi përfaqësuesve të Lidhjes së Shoqatave të Diabetikëve se pasi të arrijë vendimi i Komisionit të shkallës së dytë pranë Komisionit Shtetëror të Ankesave për Prokurimet Publike, vendimi merr formë të prerë, pas së cilës do të lidhet menjëherë kontrata për blerjen e shiritave dhe glukometrave për tipin 1 dhe tip 2 dhe do të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur shpërndarja në farmacitë e insulinës.

Ministri Mexhiti nënshkroi sot vendimin për përzgjedhjen e ofertuesit më të favorshëm për blerjen e sensorëve për matjen e vazhdueshme të sheqerit në gjak për të gjithë fëmijët me diabet, si dhe gratë shtatzëna dhe të verbërit, të cilët do të marrin për herë të parë sensorë të tillë.

Pavarësisht kësaj, protesta e Lidhjes së Shoqatave të Diabetikëve të Maqedonisë ka paralajmëruar për sot në ora 19 protestë përpara Ministrisë së Shëndetësisë nuk do të anulohet. Ata vlerësojnë që shteti nuk u siguron terapi, pavarësisht obligimit ligjor. Në kumtesën e tyre, paraprakisht theksuan se durimit i ka ardhur fundi dhe se janë shkelur të gjitha afatet. Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria, duhet t’i furnizojë me insulinë dhe se ndjehen të manipuluar që fëmijët në këtë gjendje nuk kanë pompa, senzorë dhe matës të sheqerit. Plotësisht, shteti nuk u ka siguruar shirita për matjen e sheqerit 7 muaj.

“Pas durimit të stërzgjatur, konstruktivitetit të madh, përkushtimit për bashkëpunim. Pas shumë investimeve në dinjitetin e personave me diabet mbaruan të gjitha afatet, logjikat juridike, manipulimet e shpikura. Mbaroi koha e gënjeshtrave të 150.000 qytetarëve. Ministria jonë e Shëndetësisë dhe Qeveria i manipulon 700 fëmijë dhe të rinj me pompa, pako për pompa, senzorë, matës të sheqerit dhe me terapi”, thonë nga Lidhja e Shoqatave të Diabetikëve.

Ata thonë se protesta para Ministrisë së Shëndetësisë do të jetë paralajmërues dhe paqësor për jetë të sigurt dhe cilësore të personave me diabet.

“Ftojmë në sjellje të dinjitetshme, pa dhunë apo prishje të rendit dhe qetësisë publike”, thonë nga Shoqata, duke shtuar se distancohen nga çfarëdo lloj përleshjesh mes partive politike, pasi që kjo s’ka të bëjë me politikë.

“Të gjithë do të na respektoni nëse na mbështesni në kërkesat tona”, thuhet në kumtesën e Lidhjes së Shoqatës së Diabetikëve.

Paraprakisht, Portalb.mk shkruajti se personat me diabet në vendin tonë u ankuan mbi shtatë muaj janë pa terapi, glukomatës, shirita, gjilpëra dhe komplete për fëmijët me diabet. Ata thonë se këto janë gjërat themelore pa të cilat nuk mund të funksionojnë dhe se gjinden si dinë dhe si munden.