RMV, diabetikët tashmë shtatë muaj janë pa preparatet e nevojshme – protesta e caktuar shtyhet

Personat me diabet në vendin tonë u ankuan se tashmë shtatë muaj janë pa terapi, glukomatës, shirita, gjilpëra dhe komplete për fëmijët me diabet. Ata thonë se këto janë gjërat themelore pa të cilat nuk mund të funksionojnë dhe se gjinden si dinë dhe si munden. Kjo ishte arsyeja që Unioni i Shoqatave të personave me diabet të lajmërojnë një protestë për sot para ndërtesës së Ministrisë së Shëndetësisë. Mirëpo, në vend të protestës u mbajt vetëm konferencë për shtyp sepse dje kanë qenë të ftuar në ministri prej ku kanë marrë premtim se problemi do të zgjidhet së shpejti, raporton Portalb.mk.

Dimçe Velev, kryetari i Unonit në deklaratë për mediat tha se nga ministri Fatmir Mexhiti u është premtuar se deri më 20 korrik do të pajisen me terapinë e nevojshme.

“Nëse deri më atëherë nuk i marrim, ne me të vërtetë do të vijmë këtu dhe prej këtu do të nisemi deri te Qeveria. Të gjithë kufijtë e tolerancës janë tejkaluar. Të mos flasim për buxhetet familjare se sa janë goditur. Kur ne si Union mundëm të sigurojmë 400 aparate dhe kuti me shirita, që ishin donacion për 400 personat më të rrezikuar me diabet, kjo ministri mund të sigurojë shumë më shumë dhe mund të bëjë që të shpërndahen në kohë”, thotë Velev.

Ai thekson se atyre si shoqatë nuk u intereson se cili glukomatës nga cila kompani do të furnizohet, por u intereson vetëm që terapinë kundër diabetit ta marrin në kohë, shiritat dhe glukomatësit.

Dushko Ignevski, kryetari i Shoqatës së personave me diabet të Tetovës, për Meta.mk tha se 20 vite është me diabet të tipit 2. Në fillim ai ka pranuar terapi tabletare për diabet, e pastaj me rekomandim të mjekut ka kaluar në insulinë.

“Më parë Fondi i Shëndetësisë i furnizonte pacientët, mbase jo me pajisjet më bashkëkohore, por dorëzohej në kohë. Është e vështirë që të përballohet financiarisht, jemi të vetëdijshëm se ku jetojmë, ka njerëz që e kanë të pamundur ta blejnë terapinë. Shiritat duhet të jenë falas, ndërsa ne i paguajmë. Problemi është që muajt e fundit aspak nuk ka. Jemi të detyruar ta ndihmojmë njëri tjetrin kryesisht duke huazuar lapsa me insulinë. Nëse nuk marrim terapi të mjaftueshme, ka rrezik të rritet na sheqeri dhe kjo reflektohet negativisht në organet e trupit. Ndërsa nëse periudha e mosmarrjes së terapisë është më e gjatë, gjendja shëndetësore përkeqësohet seriozisht”, thotë Ignevski.

Në muajin maj, Meta.mk shkroi për reagimet e pacientëve të cilët thanë se nuk kanë marrë prej Ministrisë së Shëndetësisë shirita për matjen e sheqerit në gjak. Nga ana tjetër nëpër farmaci, sipas kontrolleve tona, një kuti me 50 shirita për glukozë mesatarisht kushton rreth 700 denarë, që domethënë se nga buxheti familjar të sëmurët me diabet japin nga 1.400 denarë në muaj, për diçka që duhet të mbulohet nga shteti.

Paraprakisht, edhe nga Asociacioni “Balans MK” kërkuan që urgjentisht të sigurohen senzorë për matjen e glikemisë për fëmijët me diabet.

“Në 15 vitet e fundit, trajtimi i personave me diabet ndryshoi në mënyrë drastike, u përmirësua. Dhe jo vetëm në suaza botërore, por edhe në kuadër të fqinjësisë sonë më të afërt – vendet si Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Kroacia duke i ndjekur rekomandimet e OBSH-së, u siguruan qytetarëve të tyre të cilët janë pacientë me diabet (jo vetëm të tipit 1 por edhe me tipin 2 me terapi insuline), sisteme të bazuara në monitorim të vazhdueshëm të glukozës (continuous glucose monitoring system–CGMs)“, shkruante në njoftimin e “Balans MK”.

Gjithashtu, në vitin 2021, Meta shkruante për nxënësen Mia Çiçkariq, e cila ka diabet juvenil tip 1, e cila në intervistë porositi se nevojitet që shteti të sigurojë senzorë për matjen e glikemisë në gjak, sepse shpimi i vazhdueshëm dhe kontrollimi i glikemisë nëpërmjet gjakut, është stresuese dhe e dhimbshme për gishtat e fëmijëve.

Dy ditë pas publikimit të intervistës në Meta, ministri i atëhershëm i shëndetësisë Venko Filipçe lajmëroi prokurim të senzorëve pa dhimbje. Megjithatë, deri sot, pacientët nuk i kanë senzorët sepse ka problem me procedurat lidhur me tenderin për prokurim të pajisjeve.