Mexhiti: Nuk do të ketë ndërtime në Kalanë e Shkupit
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka reaguar për Kalanë e Shkupit, duke vënë theksin te nevoja për mbrojtjen e saj nga ndërtime politike dhe përdorimi i saj për përfitime të ulëta. Ai theksoi se Kalaja nuk do të lejohet më të shndërrohet në arenë ndarjesh apo përçarjesh, por do të rikthehet në një hapësirë dinjitoze që pasqyron barazinë dhe identitetin multietnik të qytetit. Mexhiti e quajti këtë hap si fundin e një epoke të keqpërdorimeve politike mbi trashëgiminë kulturore, transmeton Portalb.mk.
“Përpjekja për ndërtimin e kishës në vitin 2011 u ndal nga aktivistët, dhe që atëherë Kalaja u la pas dore. Sot, ajo po pastrohet dhe hapet për qytetarët e turistët, si një monument i trashëgimisë kulturore. Qeveria po vepron institucionalisht për të shmangur konfliktet ndëretnike dhe për të mbrojtur trashëgiminë. Kalaja është dëshmi e politizimit dhe abuzimeve të së kaluarës, por nuk do të lejohet më të përdoret për qëllime politike apo ndarje. Sot Kalaja është fytyra e turpit të atyre politikave dhe politikanëve që, për të mbajtur pushtetin janë të gatshëm të lejojnë çdo poshtrim. Gjendja në të cilën ndodhet ky monument sot është rikujtim se politikanët e të shkuarës e përdorën atë si trampolinë që disa njerëz të futen në politikë si klandestinë, jo si ofertë serioze. Kalaja do të rikthehet në një hapësirë dinjitoze që pasqyron barazinë dhe identitetin multietnik të qytetit. Rrini rahat, ndërtime politike në Kala nuk do të ketë!”, shkroi Mexhiti.
Reagimi i tij vjen një ditë pasi Ministria e Kulturës dhe Turizmit, në bashkëpunim me kryetarë komunash të Shkupit dhe ministrin Igor Filkov, filluan pastrimin e Kalasë së Shkupit, për të cilën janë ndarë 8 milionë denarë investime që do zgjasin deri më 2026.
BDI, për këtë, kërkoi që ndërhyrjet të bëhen vetëm mbi baza profesionale, duke ruajtur autenticitetin historik dhe arkitektonik të Kalasë, e cila dekadën e kaluar u shndërrua në pikë tensioni ndëretnik për shkak të ndërtimeve monofetare të VMRO-DPMNE-së.
“Kalaja e Shkupit duhet të ruhet dhe restaurohet, jo të ndërtohet mbi të dhe as të riinterpretohet në dritën e agjendave ditore. Mbrojtja e origjinalitetit të saj është përgjegjësi e përbashkët dhe një kontribut në ndërtimin e një shoqërie të matur dhe të barabartë për të gjithë”, kërkuan nga BDI-ja.
Në lidhje me këto punime ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët e udhëhequr nga Ziadin Sela.
Ndryshe, kryetarët e disa komunave të Shkupit që udhëhiqen nga kuadri i VMRO-DPMNE, kanë marrë pjesë në nismën e Ministrisë së Kulturës për pastrimin e hapësirave në Kalanë e Shkupit. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ministri Igor Filkov.
Ministria e Kulturës ka ndarë 8 milionë denarë për investime në Kalanë e Shkupit, punime që do të zgjatin deri në vitin 2026-të, kur do të lëshohet për shfrytëzim.
Punimet në Kalanë e Shkupit nxitën probleme ndëretnike në dekadën e kaluar, kur partia në pushtet VMRO DPMNE incioi ndërtimin e tre objekteve, të cilat u kontestuan nga shqiptarët sepse ishin objekte monetnike dhe monofetare. Për shkak të tensioneve që u krijuan nga protestat asokohe, Kalaja si hapësirë historike dhe turistike mbeti e mbyllur me vite.