Mexhiti: Nga sot është duke u instaluar akceleratori i ri në Klinikën Univerzitare për Radioterapi dhe Onkologji

Ministria e Shëndetësisë informoi se nga sot filloi instalimi i akceleratorit të ri në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë, njofton Portalb.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se kanë përfunduar dy fazat e para të demontimit të akceleratorit të vjetër njëzetvjeçar dhe është bërë përshtatja dhe rinovimi i bunkerit.

“Ne i zgjidhim problemet shpejtë dhe me efikasitet. Me kënaqësi ju informoj se nga sot fillojmë me instalimin e akceleratorit të ri Varian 6116 në Klinikën e Radioterapisë dhe Onkologjisë. Ka përfunduar deinstalimi i akceleratorit linear 20vjeçar, i cili ka filluar në gusht dhe është bërë përshtatja dhe renovimi i bunkerit”, ka thënë ministri Mexhiti.

Nga Ministria e Shëndetësisë kumtojnë se faza e parë parashikon instalimin fizik të sistemit, pasuar me matje, kalibrime, modelim të sistemit deri në vënien në punë përfundimtare. Gjithashtu parashikohet trajnimi për përdorimin e aparatit. Sipas dinamikës së pritshme, instalimi dhe aktivitetet e tjera pritet të përfundojnë për rreth 3-4 muaj, pas së cilës do të vihet në përdorim.

Ndryshe, më 1 shtator 2023, në bazë të urdhrit gjyqësor, sipas drejtimeve të prokurorit publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup, pjesëtarë të MPB-së kanë kryer bastisje në Klinikën e Onkologjisë, si dhe në dy lokacione tjera në banesa private në Shkup. Janë marrë disa kompjuterë, të dhëna kompjuterike dhe tjetër dokumentacion, të cilët do të jenë lëndë e analizës dhe ekspertizës. Ky aksion erdhi pas publikimit të informacioneve në media se, se punonjësit e Klinikës së Onkologjisë në mënyrë të paligjshme u shesin barna pacientëve.

Për rastin në Klinikën e Onkologjisë, Kuvendi zgjodhi përbërjen e komisionit hetimor, me propozim të VMRO – DPMNE-së. Komisioni hetimor për rastin e Klinikës së Radioterapisë dhe Onkologjisë është formuar më 29 shtator pasi Prokuroria Publike ka hapur hetimet paraprake për këtë rast pas raportimeve në media për keqpërdorime të pretenduara të pozitës së punës dhe parregullsi në trajtimin e pacientëve nga kjo klinikë.

Ky rast nxiti reagime të shumta në opinion.

Ministria e Shëndetësisë do të bashkëpunojë ngushtë me autoritetet hetimore për zbardhjen e rastit të keqpërdorimit të terapisë për pacientët e Klinikës Onkologjike, kështu ka thënë për këtë rast ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Sipas tij, është e nevojshme të kryhet hetim i plotë dhe i paanshëm.