Mexhiti: Javën e ardhshme ilaçin “Trikafta” do ta marrin 12 pacientë

Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ka njoftuar sot se javën e ardhshme pacientëve do t’u jepet ilaçi Trikafta, transmeton Portalb.mk.

“Ilaçi do t’u jepet pacientëve, atyre 12 pacientëve që i kishim kur erdha unë si ministër i Shëndetësisë, për ta do të ketë edhe për dy muaj dhe do ta vazhdojmë, kjo do të thotë që terapia do të jetë në dispozicion sigurt deri në prill, kurse për pacientët e tjerë do t’i përfshijmë sipas të gjitha kritereve të dhëna nga ekspertët e klinikës së fëmijëve”, tha Mexhiti.

 

Në pyetjen se pse ilaçi Trikafta është më i shtrenjtë për 250 mijë denarë për pacient, ministri theksoi se informatat nuk janë të vërteta.

“Ministri e Shëndetësisë, Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe furnizimet publike, i është dhënë pëlqimi Klinikës për Sëmundjet e Fëmijëve të realizojnë gjithë prokurimin për ta fituar në kohë, të jetë me urgjencë dhe më i shpejtë”, shton Mexhiti.

Deri vitin e ardhshëm, edhe në vitin 2024 dhe 2025, me informacion në Qeveri e dini se kanë kaluar 854 milionë denarë, e kemi mbuluar në mënyrë sistematike jo vetëm këtë problem, por të gjitha implikimet problematike që do të shfaqen në shëndetësi”, tha Mexhiti.

Ilaçi “Trikafta” mbërriti në vend në fillim të muajit mars dhe menjëherë e morën 12 pacientë. Pacientët me fibrozë cistike e kërkojnë këtë ilaç që prej vitit 2020, prej muajsh kanë apeluar dhe protestuar, duke kërkuar nga shteti që t’u sigurojë ilaçin “trikafta”, i cili përmirëson ndjeshëm shëndetin e tyre.

Më 17 mars, deputetët miratuan Ligjin për ndryshimin e Ligjit për barnat dhe pajisjet mjekësore, mundësoi blerjen e drejtpërdrejtë të ilaçit përmes marrëveshjeve speciale ndërmjet shtetit dhe prodhuesit të një ilaçi inovativ që e ka patentuar dhe që nuk ka konkurrencës në treg. Kjo do të mundësojë akses më të shpejtë dhe më të lirë në barna, kryesisht ato për sëmundje të rralla, si dhe për sëmundje specifike dhe të rënda. Ndryshimi i ligjit ka nisur me qëllim blerjen e ilaçit “Trikafta” për pacientët me fibrozë cistike, por do të zbatohet edhe për barnat e tjera që kanë një prodhues të vetëm.

Revolta në opinion u shtua pas vdekjes së njërit prej pacientëve me fibrozë cistike, Bllagojçe Ilijevskit nga Manastiri, më 8 shkurt. Kujtojmë se ministri i mëparshëm i Shëndetësisë, Bekim Sali, më 9 shkurt tha se për ilaçin “Trikafta” janë siguruar 140 milionë denarë për 8 pacientë me fibrozë cistike. Fjala është për mjetet buxhetore të dedikuara për Klinikën për sëmundje të fëmijëve, ku shuma prej 563.504.040 denarë rritet në 703.504.040 denarë, përkatësisht për 140 milionë denarë shtesë, tha Sali. Në të njëjtën ditë, anëtarët e Shoqatës së Fibrozës Cistike i dhanë lamtumirën e fundit para Qeverisë me një minutë heshtje, qirinj dhe lule Bllagojçe Ilijevskit nga Manastiri, një nga anëtarët më aktivë të tyre, i cili vdiq më 8 shkurt.