Mexhiti: Aparat i ri digjital me rreze X për Institutin e Radiologjisë

Ministri i Shëndetësisë Fatmir Mexhiti ka vizituar sot Institutin Universitar për Radiologji, me rastin e aparatit të ri digjital me rreze X për imazhe dinamike fluoroskopike dhe radiografike të fëmijëve në këtë institucion, transmeton Portalb.mk.

„Sot po vizitojmë Institutin e Radiologjisë, me rastin e aparatit të ri Digjital me rreze X për imazhe dinamike fluoroskopike dhe radiografike të fëmijëve në këtë institucion. Është instaluar dhe përfunduar trajnimi teknik për përdorimin e aparatit. Është blerë nga Ministria e Shëndetësisë në vlerë të përgjithshme prej 23 milionë denarë”, tha Mexhiti.

Aparati me rreze X është i nevojshëm për pacientët më të rinj dhe veçanërisht i rëndësishëm për diagnostikimin. Një aparat i ngjashëm si ky ka ekzistuar edhe më parë, ku mesatarisht janë kryer rreth 3000 ekzaminime për popullsinë më të re 0-14 vjeç.

“Institucioni ka marrë edhe mamografi me tomografi dhe biopsi stereotaksike, si dhe eko aparat me elastografi, të cilat janë të rëndësishme për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit. Kjo tregon se ne kujdesemi për parandalimin dhe zbulimin të hershëm e këtij lloji të sëmundjes malinje. Ne do vazhdojmë me investime në pajisje edhe në periudhën në vijim, duke u kujdesur për modernizimin dhe rinovimin e vazhdueshëm të saj“, thekson Mexhiti.

Kujtojmë se me 12 janar, Klinika për Sëmundje Kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” mori dy aparate të rinj, një për trajtimin e gurëve në veshkë dhe një për mamografi të gjirit.

Aparati për litotripsi shërben për thyerjen e gurëve në veshka dhe në traktin urinar dhe ka vlerë prej 42 milion denarësh. Aparati mundëson trajtimin e pacientëve me procedurë minimale invasive dhe pas ndërhyrjes pacientët do të duhet të qëndrojnë në spital më së shumti një ditë.