Mevlan Ademi: Jemi të zhgënjyer nga Ministria e Drejtësisë, deputetët të veprojnë, nuk përjashtohen protestat (Video)

Studentët e juridikut të cilët paraqitën peticion që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase, janë të zhgënjyer nga përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë, sipas të cilës provimi nuk mund të mbahet në shqip, raporton Portalb.mk. Studentët paralajmërojnë se nëse kjo çështje nuk zgjidhet, do dalin në protesta.

Nismëtari i peticionit, Mevlan Ademi tha se janë të zhgënjyer nga përgjigja e paqartë juridike e Ministrisë së Drejtësisë, siç thotë provimi i jurisprudencës ka për qëllim vlerësimin e njohurive juridike jo atyre gjuhësore, siç ishin arsyetuar nga ministria.

“Ende nuk kemi përgjigje nga disa të adresuarit tanë të peticionit, u bëjmë thirrje institucioneve dhe deputetëve të reagojnë për të njëjtën. Ish-ministri i drejtësisë ka dorëzuar propozim-ligj që zgjidh problemin tonë kështu që u ngelet deputetëve të veprojnë”, tha Ademi.

Ai tha se kanë kaluar dy gjenerata të juristëve që kur e kanë adresuar këtë problem dhe ende nuk ka zgjidhje.

“E mbajmë të hapur mundësinë e përshkallëzimit të nismës tonë me ndonjë protestë”, tha Ademi.

Ministria e Drejtësisë ka thënë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip sepse shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike (gjyqtar, prokuror, avokat, noter, përmbarues).

Duke e komentuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Ministria e Drejtësisë thotë se zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk mund të shqyrtohet në mënyrë të izoluar, por në korelacion me rregulloret e tjera relevante, edhe atë: me Ligjin për avokatinë, Ligjin për gjykatat, Ligjin për prokurorinë publike, Ligjin për përmbarim dhe Ligjin për noterinë, si tërësi.

“Përkatësisht, provimi i jurisprudencës është parakusht themelor për të hyrë në profesione të ndryshme në sistemin e gjyqësorit, e me këtë rast nga natyra dhe qëllimi i këtyre profesioneve buron edhe nevoja e njohjes aktive të gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.

Së fundmi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Peticioni është dorëzuar te Ministra e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri i parë.

Screenshot nga peticioni.
Screenshot nga peticioni.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.