Kuvendi për provimin e jurisprudencës: Gashi e ka pranuar peticionin e studentëve, ia ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë
Ndonëse përbërja aktuale parlamentare e hoqi nga agjenda propozim-ligjin i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, nga Kuvendi thonë se kryeparlamentari Afrim Gashi e ka pranuar peticionin e studentëve që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase. Ata thonë se Gashi ia ka përcjellë nismën Ministrisë së Drejtësisë, por pa dhënë detaje, shkruan Portalb.mk.
Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit të RMV-së për Portalb.mk thanë se Afrim Gashi e konfirmon se ka pranuar peticionin e studentëve.
“Peticionin e ka përcjellë tek Ministri i Drejtësisë. Njëkohësisht Gashi ka komunikuar me përfaqësuesit e studentëve dhe ka konfirmuar mbështetjen e tij të plotë për çështjen e ngritur”, thanë nga kabineti i Gashit.
Nga Ministria e Drejtësisë për Portalb.mk e kanë konfirmuar se e kanë pranuar peticionin, ndërsa për detaje më të hollësishme pritet të njoftojnë më tej.
Së fundmi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Peticioni është dorëzuar te Ministra e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri i parë.
Nga Qeveria për Portalb.mk kanë njoftuar se e kanë pranuar këtë kërkesë dhe do të shqyrtojnë të njëjtën, por pa dhënë detaje konkrete.
Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.
Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.
Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.
Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.
- LEXO: Qeveria: Do ta shqyrtojmë peticionin e studentëve për provimin e jurisprudencës në shqip
- LEXO: Jurisprudenca vetëm në maqedonisht, Bashkim Selmani: Ministrat kanë qenë shqiptarë, dikush nuk i ka kryer obligimet
- LEXO: Ish ministri: Qeverisë ia lamë gati ligjin që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në shqip, por e hoqën nga agjenda
- LEXO: Mësojnë në shqip, testohen në maqedonisht, Mevlan Ademi: 385 studentë kërkojnë provimin e jurisprudencës në gjuhën amtare
- LEXO: Përmes peticionit, studentët në RMV kërkuan që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe
- LEXO: Studentët shqiptar nuk lejohen të përdorin gjuhën shqipe në provimin më të rëndësishëm për juristët