Me ndeshjen Pelister – Shkëndija mbaroi java e nëntë e Ligës së Parë

Sot mbaroi ndeshja e fundit e javës së nëntë në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Në ndeshjen e fundit ndërmjet Pelisterit dhe Shkëndijës nuk u shënua asnjë gol, transmeton Portalb.mk.

Në këtë ndeshja Shkëndija arriti të marrë vetëm një pikë, duke mos rrezikuar vendin e parë, ku gjenet Struga me dy pikë më shumë. Kjo e fundit dje ka luajtur kundër Vardarit, duke barazuar 2-2. Vardari dhe Shkëndija ndajnë vendin e dytë të tabelës me pikë të njëjta. Këto dy ekipe do të përballen në xhiron tjetër, më 19 tetor.

Bashkimi mori vetëm një pikë në Strumicë kundër Akademia Brerës, 1-1. Goli i vendasve u shënua nga penaltia, penalti e cila ngjalli debat në opinion, për çka edhe Federata e Futbollit të Maqedonisë sqaroi që gjyqtari kryesor i ndeshjes është fajtori për ekzekutimin e penaltisë, i cili kishte refuzuar edhe ndihmën e sistemit VAR.

Në këtë xhiro, Shkupi mori pikën e parë të kampionatit kundër Rabotniçkit, pasi barazoi 1-1. Arsimi si mysafir i Makedonija Gj.P. pësoi humbje 4-1. Në këtë xhiro Sileksi fitoi kundër Tikveshit 1-0.

Pas javës së nëntë, Bashkimi gjendet në pozitën e pestë me 15 pikë, ndërsa Arsimi i teti me tetë pikë, kurse Shkupi i fundit me vetëm një pikë.

Kampion i Ligës së Parë në sezonin 2024/25 është shpallur Shkëndija e Tetovës, ndërsa Vardari është fitues i Kupës. Në sezonin 2025/26 në Ligën e Parë do të luajnë Shkëndija, Struga, Shkupi, Bashkimi dhe Arsimi që u kualifikua nga Liga e Dytë për herë të parë.