Autobusët privat në Shkup prej nesër do të qarkullojnë me orar të rregullt, NQP pasdite pagoi një pjesë të borxhit

Transportuesit privatë të autobusëve në Shkup prej nesër do të qarkullojnë sipas orarit të rregullt. NQP pasdite u ka paguar nga gjashtë milionë denarë tri kompanive, konfirmoi për MIA-n, pronari i Jofi Bus, Jovica Zafirovski.   

“Sot në orën 16:00 morëm informacion se na janë paguar gjashtë milionë denarë për paketë dhe pas koordinimit me operatorët, nesër do të kthehemi në qarkullim me orar të rregullt. Shuma nuk është shumë e madhe, por kërkuam që të paguhet një shumë e caktuar në mënyrë që të mund të vazhdojmë. Kjo mjafton që ne të operojmë rregullisht për dy javët e ardhshme dhe shpresojmë se gjatë asaj periudhe do të kemi mjete, respektivisht pagesë nga NQP, në mënyrë që të mund të punojmë pa ndërprerje”, theksoi Zafirovski.

Ai përkujtoi se autobusët kanë nevojë për servisim të rregullt, si dhe për përdorim të përditshëm të karburantit për të qarkulluar dhe theksoi se për shkak të këtyre harxhimeve, duhet të paguhen rregullisht mjete në mënyrë që të mos ketë ndërprerje dhe qytetarët të mos duhet të presin në stacionet e autobusëve.

Transportuesit privat Jofi Bus, Vestor Trans, Rados Kompani që operojnë në Shkup, të premten kërkuan nga NQP të paguajë borxhin e tyre total prej 170 milionë denarësh, prej të cilit, siç deklaruan, aktualisht duhet të paguhen 90 milionë denarë. Ata udhëtuan sot me orar të reduktuar nga ora 5 deri në 10 të mëngjesit, ndërsa prej nesër do të kthehen me orar të rregullt.

Ndryshe, nëse borxhi ndaj transportuesve privatë në Qytetin e Shkupit nuk paguhet deri të hënën, më 6 tetor, orari i tyre do të reduktohet me 70 përqind dhe ata do të punojnë vetëm në turnin e parë nga ora 5 deri në orën 10 të mëngjesit, kishte paralajmëruar më 3 tetor pronari i “Jofi bus”, Jovica Zafirovski. Sot (6 tetor) transportuesit kishin funskionuar me orar të shkurtuar.

Nga ana tjetër, kompania thotë se NQP ka borxh mbi 10 milionë euro dhe ka fatura të papaguara për më shumë se dy vjet, gjë që, sipas tyre, është arsyeja kryesore pse u njoftua ndërprerja e furnizimit me karburant.