Më mirë për Tetovën: “Saubermacher”, me ndihmën e komunës po i “reketon” qytetarët dhe bizneset e Tetovës
Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën” përmes një reagimi në rrjetet sociale ka denoncuar se kompania “Saubermacher”, nëpërmjet partneritetit publiko-privat që ia mundësoi udhëheqësia aktuale e Komunës i “reketon” qytetarët dhe bizneset e Tetovës. Ndërsa i pari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami mendon se në “Saubermacher” në mënyrë më të mirë po rëalizojnë obligimet që kanë marrë për pastërti në Tetovë, shkruan Portalb.mk.
“Prej dje kemi pranuar ankesa nga pronarë të bizneseve, të cilët kanë pranuar njoftim përmes emailit nga “Saubermacher” që kërkon nga ata të lidhin kontratë për shërbimet nga kjo ndërmarrje. Bizneset, në rast se nuk e nënshkruajnë këtë kontratë në afat prej 5 ditëve, rrezikojnë të gjobiten me shuma marramendëse nga 9000 euro, deri në 98000 euro. Kërkojmë nga komuna e Tetovës ta publikojë marrëveshjen me kompaninë Saubermacher, në bazë të së cilës kjo e fundit merr lirinë që t’i trajtojë qytetarët dhe bizneset e Tetovës në këtë mënyrë”, thuhet në reagimin e iniciativës “Më mirë për Tetovën”.
Ndryshe, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami është i bindur se në “Saubermacher” në mënyrë më të mirë po realizojnë obligimet që kanë marrë për pastërti në Tetovë.
“Tetova mund të krenohen që është një ndër qytetet më të pastra, më të rregulluara. Ftoj qytetarët që obligimet e tyre ndaj këtij operatori t’i rregullojnë. Derisa ne jetojmë në këtë qytetë, krijohen edhe mbeturina dhe dikush duhet të merret me mbeturinat. Në këtë rast ka ardhur një kompani nga Austria, duke e përcjell prej atje përvojën me mbeturina dhe ka arritur të stabilizojë këtë cështje. Në të kaluarën kishim problem cdo ditë me pagesën e pagave, me kushtet e punëtorëve, me pagesën e deponisë, me pagesën e furnitorëve të ndryshëm… Sot komuna e Tetovës e ka vetëm një problem që bashkërisht me kompaninë e sektorin civil të punojnë në edukimin e qytetarëve të mos hedhin mbeturina aty ku se kanë vendin dhe bashkë me cdo qytetar të punojmë që tetova të jetë një qytet i pastër dhe një qytet ku të gjithë duan të jetojnë. Bëj ftesë deri te qytetarët dhe bizneset të lidhin kontratë me “Saubermacher” që për së afërmi t’i rregullojnë raportet mes dy palëve”, tha Kasami.
Megjithatë, aktivistja Elmedina Abdullahi mendon ndryshe.
“Vetëm biznest që prodhojnë mbeturina komerciale e kanë për detyrim ligjor të nënshkruajnë kontratë, gjithë të tjerët (sidomos shoqatat) jo vetëm që s’kanë obligim të nënshkruajnë kontratë po në këtë rast, kanë të drejtë edhe t’i padisin”, shkroi Abdullahi.
Kujtojmë që Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermacher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë. Si rezultat i kësaj, u ndryshua edhe metodologjinë e pagesës. Nga atëherë disa qytetarë u dërguan te noteri për mosshlyerje të faturave, ndërkohë që vetë qytetarët ankoheshin se nuk kishin pranuar fare fatura.