Kompania sllovene: Do ta bëjmë Tetovën të pastër të garojë me qytetet evropiane, komuna nënshkruajti marrëveshje (Video)

Me nënshkrimin e marrëveshjes për partneritet publiko-privat me Komunën e Tetovës, Kompania sllovene e grupacionit “Saubermaher” edhe zyrtarisht mori për obligim menaxhimin e mbeturinave në Tetovë. Sllovenët premtojnë se do ta bëjnë Tetovën të pastër dhe që do të garojë me qytetet evropiane, megjithatë fillimi do të jetë i vështirë, shkruan Portalb.mk.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami theksoi se me këtë marrëveshje Tetova bëhet pjesë e grupacionit ndërkombëtar “Saubermaher” e cila vepron në Gjermani, Austri, Çeki, Hungari dhe Slloveni duke përfshirë një numër të konsiderueshëm të qyteteve, ku vetëm në Slloveni menaxhon me mbi 50 komuna të cilat në shumë raporte ndërkombëtare janë cilësuara si qytetet më të pastra.

“Marrëveshja përfshin grumbullimin, transportimin dhe deponimin e mbeturinave komunale në të gjithë komunën jo vetëm të qytetit. Ndërkaq më vonë do të punohet edhe në selektimin e mbeturinave”, tha Kasami i cili shtoi se janë bërë analizat dhe studimet për menaxhimin e mbeturinave.

Komuna e Tetovës do të mbikëqyrë procesin e implementimit të marrëveshjes me partnerin privat ndërkaq, këta të fundit do të faturojnë shërbimet për qytetarët. Kasami tha se nuk mund të ketë rritje pasi çmimet përcaktohen nga Komisioni Rregullator. Ndërkaq theksoi se punëtorët nuk do të kenë vonesa në paga.

Nga “Saubermaher” theksuan se do të punojnë me Tetovën dhe do të sigurojnë që qyteti të garojë me qytetet më të pastra dhe më të zhvilluara me të cilat ata punojnë.

“Përgjegjësitë dhe detyrat që ne i morëm tani nga kjo marrëveshje do t’i marrim shumë seriozisht dhe do t’i përmbushim, dhe do të shihni se së shpejti menaxhimi me mbeturina do të përmirësohet, me rrugë më të pastra dhe ambient më të pastër”, tha Andreas Opelt.

Portalb.mk pyeti përfaqësuesit sllovenë se në kontekstin dhe kushtet e menaxhimit me mbeturinat në Tetovë, si do sigurojnë që do e zgjidhin këtë problem.

Opelt theksoi se si Saubermaher punojnë me më shumë se 20 qytete në shtete të ndryshme dhe me disa nga ata kanë filluar para 20-30 viteve ku niveli ishte shumë i ulët dhe se kanë eksperiencë me dekada se si ta bëjnë këtë.

“E dimë se është sfidë këtu dhe mendojmë se kemi mjaft eksperiencë për ta sjellë atë në nivel të mirë dhe për këtë kemi hyrë në këtë projekt, dhe besojmë se do sjellim përfitime te qytetarët dhe qyteti. Do të jetë punë e vështirë në vitet e para por pastaj do të arrijmë në nivel më të mirë”, tha Andreas Opelt.

Nënshkrimit të kësaj marrëveshje i parapriu miratimi i vendimit nga ana e Këshillit Komunal të Tetovës në shtator 2023 ku të gjithë këshilltarët njëzëri votuan pro këtij vendimi. Komuna paraprakisht zhvilloi tender në të cilin u përzgjodh kompania nga Sllovenia për të kryer këtë shërbim, e cila ishte e vetmja që kishte aplikuar në shpalljen publike. Tenderit i parapriu studimi i fizibilitetit mbi justifikimin e partneritetit publiko-privat, i cili u miratua në mars 2023 po nga Këshilli Komunal ku edhe u soll vendimi për fillimin e procedurës. Më pas u hap thirrje publike dhe aty si ofertues ka pasur vetëm një kompani e cila është “Saubermaher” nga Sllovenia.

Sipas komunës, parashihet që kompania sllovene të bëjë grumbullimin e të gjitha mbeturinave dhe të bëhet bartja deri te deponia Rusino si dhe në ndërkohë do të duhet të bëhet selektimi i të njëjtave.

Nga Komuna kanë sqaruar gjithashtu se partneri privat obligohet që të bëjë transferimin e vendeve të punës nga ndërmarrja publike, konkretisht të punonjësve të higjienës komunale në partneritetin e ri, nga ku 31 duhet të jenë staf administrativ dhe 61 duhet të jenë staf teknik.

Kujtojmë se në janar të vitit 2023 Këshilli Komunal mori vendimin që Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” të ndahet në dy subjekte të reja, edhe atë Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” e cila do të merret me ujësjellësin dhe Shoqëria për Prodhim dhe Shërbime Komunale “Oaeneum” e cila do merret me higjienën komunale. Arsyeja pse “Oaeneum” u bë shoqëri tregtare, siç paten sqaruar nga komuna ishte pikërisht se në procedurë të partneritetit publiko privat ligji e kërkon të jetë shoqëri tregtare jo ndërmarrje publike. Ndërkaq NPK-ja aktuale do vazhdojë me veprimtaritë që ngelin, konkretisht veprimtaria e tregut, gjelbërimit dhe varrezave të qytetit, pra tre veprimtari.

Ndryshe, Tetova me vite të tëra përballet me problemin e mbeturinave, ndërkaq punëtorët e NPK-së punojnë në kushte të vështira dhe me rroga në minus, kjo për shkak të bllokimit të llogarisë të NPK-së. Me këtë vendim për partneritet publiko-privat pritet që këto problem të zgjidhen.