Prokuroria me procedurë hetimore ndaj të dyshuarit të parë në rastin “Mali” në Gërçec dhe Gazi Babë

Prokurori Publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pas privimit të djeshëm nga liria në fshatin Gërçec të të dyshuarit të parë nga rasti “Mali” do të vazhdojë procedurën hetimore ndaj tij. Ai ishte në kërkim me urdhër të prokurorisë me urdhër kombëtar dhe ndërkombëtar të vitit 2021 për shkak të dyshimit të bazuar se si organizator kryesor ka kryer veprën e prodhimit dhe tregtim ilegal të lëndëve narkotike – substancave psikotrope, të parashikuara dhe të dënueshme nga neni 215 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Procedura hetimore për çështjen “Mali” u hap në mars 2021 ndaj 28 personave, mes të cilëve një fëmijë në konflikt me ligjin mbi moshën 16 vjeç. Duke qenë se bëhej fjalë për dy grupe kriminale të përfshira në shitjen e paautorizuar të lëndëve narkotike, u miratuan dy Urdhra për zbatimin  procedurës hetimore. Në aksionet e kryera në atë kohë në territorin e fshatit Grçec dhe vendbanimin Gazi Babë u është hequr liria 22 personave, nga të cilët pesë prej tyre, mes tyre edhe i dyshuari i parë, janë në arrati. Ndërkohë, gjegjësisht në shtator të vitit 2021 dhe gjatë vitit 2022, tre prej të dyshuarve të padisponueshëm për organet e rendit janë privuar nga liria dhe ndaj tyre ka vazhduar procedura hetimore.

Prokurorët në fjalë kanë arritur marrëveshje me 14 të akuzuar për të cilët gjykata ka pranuar marrëveshjet e propozuara dhe ka marrë aktgjykim me të cilin tetë persona janë dënuar me nga 3 vjet burg, dy persona nga 3 vjet e 6 muaj, tre persona janë dënuar me dënim me burg 4 vjet e 6 muaj dhe një person me 5 vjet burg.

Në bazë të pranimit të fajësisë në seancën kryesore, pesë të pandehur janë dënuar me burgim, përkatësisht: 1 person me burgim prej 3 vjet e 5 muaj, dy persona me 4 vjet burg, një person me burgim prej 5 vjet dhe një person i dënuar me 6 vjet burg. Pas ankesave, dy personave iu ndryshuan dënimet dhe u ulën nga 6 vjet në 5 vjet dhe nga 4 vjet në 3 vjet e 6 muaj.

Pas seancës kryesore, aktgjykime u dhanë për tre persona, dy prej të cilëve janë ndryshuar në procedurë para gjykatës së shkallës së dytë, nga 4 vjet në 5 vjet burg dhe nga 3 vjet e 6 muaj në 6 vjet, ndërsa u konfirmua aktgjykimi për një person të dënuar me 6 vjet burgim.

Për një person hetimi mbetet i pezulluar deri në gjetjen e tij, për tre persona është lëshuar Urdhër për ndërprerjen e hetimeve, për dy prej të cilëve lënda i është përcjellë Prokurorisë Themelore Publike – Shkup, ndërsa fëmija në konflikt me ligjiin është dënuar me masa edukative në kohëzgjatje nga 1 deri në 5 vjet.

Anëtarët e dy rrjeteve të organizuara kriminale shisnin narkotikë përmes shitësve në Shkup, Gostivar, Tetovë, Strumicë dhe qytete të tjera me çmim prej 4.000 deri në 5.000 denarë për 1 gram kokainë dhe prej 12.000 deri në 15.000 denarë për 100 gram marihuanë.

Ndryshe në mars të vitit 2021 në një aksion të Policisë dhe Prokurorisë në Gërçec dhe Gazi Babë u arrestuan 21 persona, ndërsa në kërkim ishin edhe të tjerë për prodhim dhe tregtim ilegal të lëndëve narkotike.