Pistoletë te një 15-vjeçar në shkollën e Tetovës, alarm për sigurinë e nxënësve

Një pistoletë dhe një karikator janë gjetur te një nxënës 15-vjeçar në një shkollë të mesme në Tetovë, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë e nxënësve në institucionet arsimore. Policia e ka privuar nga liria të miturin, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori publik. Reagoi opozita nga këshilli komunal, shkruan Portalb.mk.

Sipas Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë, rasti ka ndodhur ditën e premte.

“Më 13.11.2026, në ora 14:40, në një shkollë të mesme në Tetovë, punonjësit e policisë nga SPB Tetovë, në prani të prindit dhe pedagogut të shkollës, kanë privuar nga liria një të mitur 15-vjeçar nga Tetova, sepse gjatë kontrollit tek ai janë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë ‘Zoraki 918-G’ kalibri 9 mm dhe një karikator”, njoftuan nga SPB Tetovë.

I mituri është mbajtur në stacionin policor dhe, pas dokumentimit të rastit, policia paralajmëroi parashtresë përkatëse.

Këshilltarja komunale nga AKI, Belinda Amiti, e cilësoi ngjarjen si kambanë alarmi për çdo familje në Tetovë. Ajo ngriti shqetësimin nëse prindërit mund të jenë ende të bindur se shkollat janë vende të sigurta për fëmijët e tyre.

“Fëmijët tanë nuk mund të paguajnë çmimin e papërgjegjësisë së institucioneve. Asnjë prind nuk duhet të jetojë me frikën se çfarë mund t’i ndodhë fëmijës së tij brenda shkollës”, deklaroi Amiti.

Pikërisht një ditë para raportimit të këtij rasti, në Tetovë në Kuadër të Këshillit Komunal për Parandalim të Delikuencës te të Rinjtë u mbajt takim koordinues midis institucioneve dhe drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme. Takimi erdhi pas incidenteve në të cilat ishin përfshirë tifozë të mitur nga dy klubeve të futbollit nga Tetova.

Ndërkohë, Portalb.mk vazhdimisht ka raportuar për sjelljet delikuente te të rinjtë në Tetovë si dhuna mes nxënësve dhe shqetësimet për praninë e narkotikëve në hapsirat shkollore.

Një nga rastet më shqetësuese ndodhi para pak ditëve ku në shkollën “Kirili dhe Metodi” u gjetën mbetje të dyshuara nga konsumimi i narkotikëve, xhamave të thyer dhe papastërtive në një barakë brenda perimetrit të shkollës. E cila pas publikimit të rastit në media u largua.