RMV, policia mbledh informacione pas njoftimit të personit që ka valëvitur flamurin e “Shqipërisë së Madhe” në Tetovë

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sot tha se edhe më tej është duke u përcaktuar identiteti i personit që gjatë qëndrimit të kryeministrit Albin Kurti ka valëvitur flamurin me hartën e të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe” në Tetovë, si dhe se po mblidhen informacione pas publikimit të fotografisë së personit, transmeton Portalb.mk.

Në pyetjet e gazetarëve, Spasovski përsëriti se personi nuk është i punësuar në MPB, duke theksuar se identiteti do të përcaktohet dhe se do të ketë drejtësi edhe nëse është shtetas i huaj.

“Nuk po themi dhe nuk po e mohoj, thjesht njeriu që mbante flamurin nuk është punonjës i Ministrisë së Brendshme. Dhe kë do të njihnim nëse nuk i njihnim punonjësit e Ministrisë së Brendshme? Unë shpresoj që kryesia e televizionit ku punoni ta dijë se kush jeni të gjithë. Sipas kësaj, duke e ditur se inspektori apo personi që përmendet nuk është ai, ne prandaj edhe kemi publikuar foto, njoftim publik, për të parë njohjen e këtij personi dhe për të përcaktuar më tej se cili do të ishte identiteti i këtij personi. Në ato takime kishte njerëz që nuk janë nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Siç marrim informacione, sigurisht që do të merrni informacion edhe ju”, tha Spasovski.

I pyetur nëse njoftimi ka rezultuar me ndonjë denoncim, Spasovski tha se ka informacione që tashmë po i mbledhin dhe se do të vërtetohet identiteti i personit që do të përgjegjet për vepër penale.

Nëse personi është shtetas i huaj, siç theksoi ai, do të përdoren të gjitha mekanizmat ligjorë për ta sjellë para organeve të drejtësisë.

“Natyrisht që drejtësia do të vijë sepse nëse është shtetas i huaj ka mekanizma përmes dhënies së urdhër-arresteve, shpalljeve etj. dhe sigurisht që do të përdorim të gjitha mekanizmat ligjorë për ta realizuar gjithë këtë çështje dhe për ta sjellë para drejtësisë”, tha Spasovski.

Në koncertin e organizuar nga Komuna e Tetovës më 12 të këtij muaji, me rastin e pritjes së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, është valuar flamuri me hartën e të ashtuquajturës “Shqipëria e Madhe”, e cila përfshin pjesë të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë.

Kujtojmë se, më 11 gusht me prezencën edhe të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u bë promovimi i riemërimit të rrugës në Komunën e Çairit.

Brigada e dytë maqedonase me përbërje multietnike ka qenë një ndër forcat partizane në Maqedoni e cila luftoi me sukses me okupatorin fashist bullgar, si dhe forcat fashiste në territorin e Jugosllavisë. Adem Demaçi, i cili ndërroi jetë në vitin 2018, ka qenë disident, gazetar, shkrimtar dhe politikan, i cili luftoi për pavarësinë e Kosovës, ndërsa në rrugën e riemëruar në Çair ka jetuar për kohë të shkurtër.