Më 24 shkurt do të mbahet seanca rreth ankesës së Veliaj rreth “arrestit në burg”

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka paraqitur ankim sot në 18 shkurt në Apelin e Posaçëm kundër vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të 1 shkurtit, me të cilin u vendos vijimi i masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij. Vendimi u dha nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila në seancën e mëparshme vlerësoi se ekzistojnë kushtet dhe kriteret ligjore për mbajtjen në fuqi të masës më të rëndë të sigurimit personal, raporton Klan.

Në kërkesën e tij drejtuar Apelit, Veliaj kërkon zëvendësimin e arrestit në burg me një masë më të butë, duke propozuar edhe garanci pasurore si alternativë, apo çdo masë tjetër të parashikuar nga Kodi i Procedurës Penale, përjashtuar izolimin në qeli. Sipas argumenteve të paraqitura nga mbrojtja, situata procedurale ka ndryshuar, pasi çështja tashmë ka kaluar për gjykim dhe provat janë administruar, çka sipas tyre përjashton rrezikun e prishjes apo manipulimit të tyre.

Mbrojtja thekson gjithashtu se nuk ekziston rrezik arratisjeje apo ndikimi mbi persona të përfshirë në proces, duke kërkuar që gjykata të mbajë në konsideratë edhe rrethanat personale dhe funksionin publik të Veliajt. Avokatët e tij argumentojnë se vijimi i masës së “arrestit në burg” është i panevojshëm dhe joproporcional në raport me fazën në të cilën ndodhet procedimi penal.

Apeli i Posaçëm ka regjistruar zyrtarisht kërkesën dhe ka caktuar gjyqtaren Nertina Kosova për shqyrtimin e saj. Seanca gjyqësore do të zhvillohet më 24 shkurt, ku pritet të dëgjohen palët dhe të paraqiten argumentet përkatëse, lidhur me kushtet e ndryshimit të masës së sigurisë.

Në këtë seancë, trupi gjykues do të vlerësojë nëse janë plotësuar kriteret ligjore për zbutjen e masës, duke analizuar rrezikun e largimit, mundësinë e ndikimit në procesin gjyqësor, si dhe proporcionalitetin e masës aktuale në raport me nevojat e hetimit dhe gjykimit. Vendimi i Apelit do të jetë përcaktues për vijimësinë e qëndrimit të kryebashkiakut në paraburgim apo për lirimin e tij me një masë më të lehtë sigurimi, deri në përfundim të procesit gjyqësor.