Ndërroi jetë ish-deputetja nga Kosova, Flora Brovina, nesër do të dëshmonte për Masakrën e Dubravës

Ka ndërruar jetë, Flora Brovina sot në moshën 76-vjeçare. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e saj dhe personalitete të shumta publike në Kosovë, raporton Portalb.mk.

Ajo ka shërbyer për shumë vite si mjeke pediatre, duke u kujdesur veçanërisht për fëmijët dhe gratë e prekura nga lufta.

Brovina ishte edhe poete e njohur dhe ish-kryetare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

Gjatë luftës në vitin 1999, ajo u rrëmbye nga forcat paramilitare serbe dhe u dënua me 12 vjet burg në Serbi, nga ku u lirua pas një presioni të madh ndërkombëtar.

Pas luftës shërbeu si deputete e Kuvendit të Kosovës për disa mandate në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ajo ishte parashikuar që nesër, të dëshmonte në gjykatë lidhur me Masakrën e Dubravës.

Dëshmia e saj ishte planifikuar në një kohë kur rasti i Masakrës së Dubravës vazhdon të jetë një prej çështjeve të rëndësishme që lidhen me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.