MBULESA DHE PUBLIKJA (I)

Besimtarja dhe veshja apo dukja e saj, mbulesa dhe sfera publike janë çështje shumë aktuale në shoqërinë post-moderne, në atë të shekullit XXI, nga vendet me shumicë muslimane deri ato europiane e perëndimore në përgjithësi ku tanimë kemi një numërr të konsiderushëm të pjesëtarëve të një komuniteti që mundohet të ruajë kodin islamik të jetësës në një mjedis shekullar për disa dekada. Muslimane dhe moderne (Logos-A, 2023) është një libër që mban firmën e Nilüfer Göle, një studiuese e dalluar turko-franceze, sociologe e profilit të lartë, drejtoreshë e “École des hautes études en sciences sociales” (EHESS) dhe e “Centre d’Analyse et d’Intervention Sociologiques” (CADIS) në Paris; profesoreshë në Universitetin e Bosforit, që ka si interes kërkimor edhe teorinë kritike, studimet islame, çështjen seksi-gjinia, antisemitizmin,  islamofobinë dhe marrëdhënien fe-Lindje e Mesme.

Në këtë vepër,  autorja, që në thelb i përket botëvështrimit socialist, shqyrton raportet komplekse midis modernitetit, fesë dhe gjinisë në kontekstin turk dhe më gjerë; polarizimet e krijuara lidhur me çështjen e mbulesës së gruas muslimane në shoqërinë moderne, në veçanti shaminë te gratë e reja.

Kryesubjekti i këtij libri, të botuar para dy muajsh nga Logos-A, janë gratë besimtare aktive, që dallojnë nga muslimanet “e zakonshme”, nga njëra anë për shkak të qasjes që kanë në edukimin laik, të dukshmërisë sociale; nga ana tjetër, për shkak të rivendikimit të tyre për interpretimin e teksteve islame. Sipas saj, kategoria e rinisë studentore turke nxiti një perceptim tjetërfare lidhur me simbolin fetar të shamisë/mbulesës, që nisi të dukej gjithandej në agorën sociale, që sot mësyn drejt qendrës, duke përfshirë edhe institucionet publike, të cilësuara si laike apo jashtëfetare. Në këtë drejtim, gruaja e publikizuar, e dalë në sferën publike, do të komunikojë me burrat dhe, kësisoj i duhej të vërtetonte ndershmërinë, profesionalizmin dhe patriotizmin e vet, pa humbur asgjë nga feminiteti, amësia, fetaria e kështu me radhë.

Shprehur me fjalët e Agamben-it, trupi që i përket zoe-së, biologjikes, po depërton në fushën e bios-it, ose të jetës politike. Ndërkohë, mbulesa islame (si shenjë fetarie) dhe islamiste (si shenjë politike) nuk është një mjet për mbylljen e gruas në shtëpi, përkundrazi: është mjet për daljen e saj nga shtëpia, për socializimin e saj, gjë që paraqet një ndryshim radikal paradigmatik (Tan, 2019) që ka trazuar debatet edhe në qarqet islamiste që sillen rreth aprovimit, dilemave e deri te refuzimi i punësimit të gruas, duke pohuar se karriera e defeminizon gruan muslimane; se mbulesa, nga simbol i shenjtërisë, po shndërrohet në simbol të estetikës së konkretizuar, apo të vizualizuar. Sidoqoftë, gruaja besimtare, që përjeton një momentum post-patriarkal, përmes mbulesës së vet ishte e vendosur të protestonte kundër qeverisë që rregullonte jetën, trupin dhe imazhin femëror. (Dönmez, 2013)

Ky tekst mundohet që t’u japë përgjigje pyetjeve në vijim:

Cila është rëndësia e sociologjike e turbanit modern në Turqi dhe përtej? A ndryshon ai nga format tradicionale të mbulesës? Pse është shndërruar në problem? Ç’peshë ka debati politik rreth tij? A  është shamia pjesë e projektit islamist dhe a e rrezikon rendin shekullar? A ka pretendime politike? (İncirlioğlu, 1998:311) A e bën dytësor statusin social të gruas?

Sfera e intimes, diskretes, privates (mahrem), që sot po relativizohet në saje të medias dhe rrjeteve sociale, përbën një çështje me peshë që sfidohet nga moderniteti, ndërkohë që mbrohet nga tradita dhe konservatorizmi, që ruajtjen dhe afirmimin e saj e arsyeton me vektorë etikë,  me apologjinë e moralit publik apo social, me nocionin e moderniteit alternativ. Sipas Göle-s, gruaja, vetëm duke marrë pjesë në jetën shoqërore mund të arrijë gradën e qenies njerëzore të qytetëruar; liria e gruas është e lidhur me socializimin e saj (duke fituar një funksion shoqëror). /vijon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.