V-DEM: DEMOKRACIA 2024 (I)

“Ilaçi për sëmundjet e demokracisë është ‘më tepër demokraci’”.

John Dewey

Demokracia si pikëpamje, praktikë sociale dhe si kulturë ka luajtur rol jetik në storjen e qytetërimit, duke ndihmuar shndërrimin e botës nga strukturat e monarkisë, despotizmit, perandorisë dhe pushtimeve drejt qeverisjes popullore, vetë-përcaktimit dhe bashkëjetesës paqësore. Përkundër divergjencave lidhur me këtë term, ekziston një pajtim se demokracitë janë sisteme politike liberale në të cilat qytetarët kanë të drejtat civile plotësuese (additional) dhe janë të mbrojtur nga shteti përmes kufizimitr të tij (by constraining it). (Herre, 2022) Thelbin e demokracisë e përbën koncepti i demosit që zgjedh një qeveri përmes zgjedhjeve të rregullta, të lira dhe të drejta. Shkollarë të shumtë janë të mendimit se jetesa në demokraci nuk ka alternativë. Amartya Sen argumenton se vlerat demokratike janë thelbësore për një zhvillim të suksesshëm të shoqërisë. (Chatham House, 2024)

Matja e gjendjes së demokracisë nuk është një procedurë që prodhon diçka 100% ekzakte, por megjithatë ndihmon në të kuptuarit e të drejtave dhe lirive politike që njerëzit i gëzojnë në një vend (Herre, 2022), në të kuptuarit se sa ata janë të kënaqur me kushtet e jetesës dhe lirinë që i ofron shteti, sistemi apo lidershipi, se sa mund të  vetërealizohen në një konstelacion socio-politik. Ndër qasjet më të njohura në matjen e demokracisë janë: V-Dem, Regimes of the World, Boix-Miller-Rosato, Polity, Freedom House etj.

Muajin e kaluar, më 7 mars, V-Dem Institute nga Departamenti i Shkencave Politike i Universitetit të Gotenburgut, Suedi, që prodhon databazën më të madhe globale lidhur me demokracinë, ndërtuar mbi 31 milionë të dhëna për 202 vende nga viti 1789 deri më 2023, shpali raportin e vet të vitit 2024. Ky projekt, që konsiderohet më i madhi në aspekt të fakteve mbi demokracinë, inkuadron mbi 4200 dijetarë dhe ekspertë që masin mbi 600 atribute apo varietete të demokracisë. Ky Institut deri më tani ka publikuar tetë raporte; nga viti 2007 ka realizuar 870 prezantime anekënd botës, duke gjeneruar 180 artikuj revistash dhe 147 artikuj pune. Komponentët përfshijnë zgjedhjet e lira dhe të drejta, liritë qytetare,, pavarësinë juridike, kufizimet ekzekutive, barazinë gjinore, lirinë e medias dhe shoqërinë qytetare. Raporti i sivjetshëm është titulluar “Democracy Report 2024: Democracy Winning and Losing at the Ballot” (Raporti i demokracisë: Demokracia që fiton dhe humb në fletëvotim). Një segment relevant i punës së V-Dem është tipologjia katërshe e regjimeve: demokraci liberale, demokraci zgjedhore, autokraci zgjedhore dhe autokraci e mbyllur.

Raporti i këtij viti tregon se autokratizimi vazhdon të jetë trend mbizotërues planetarisht, siç figuron edhe në raportet paraprake. Në disa vende shënohet zbrapsje demokratike ndonëse më parë kanë shënuar përmirësim (Bell-turns), ndërsa në të tjera përmirësime ndonëse përpara ka pasur zbrapsje (U-turns). Në korniza globale, niveli i demokracisë së gëzuar nga personi mesatar në vitin 2023 është në nivelin e vitit 1985, kurse sipas mesatares së shteteve, i kthehet vitit 1998. Nga viti 2009 madhësia e popullatës që jeton në vende autokratike e ka kapërcyer atë të vendeve që jetojnë në demokraci. Demokracia është e zymtë në Europën Lindore dhe në Azinë Jugore dhe Qendrore.

Vendet që shënojnë përparim demokratik janë të voglat si Ishujt Sejshele, Timori Lindor dhe Lesoto. Amerika Latine dhe Karaibet shkojnë kundër trendit global: atje shkalla e demokracisë rritet dhe vendet më të mëdha janë më demokratike sesa të voglat. Në botë ka gjithsej 91 shtete demokratike dhe 88 autokraci. 71% e popullatës botërore (5.7 miliardë) jetojnë në autokraci, një rritje kjo për 48% krahasur me 10 vjet më parë. 44% (3.5) miliardë njerëz jetojnë në autokraci elektorale. Vetëm 29% (2.3 miliardë) e popullatës botërore jetojnë në demokraci elektorale apo në demokraci liberale. Për herë të parë pas 50 viteve Izraeli del jashtë kategorisë së demokracisë liberale. (V-Dem, 6)

Konkluzion gjeneral është se pothuajse të gjithë komponentët e demokracisë në më shumë vende po përkeqësohen e në më pak po përmirësohen krahasuar me dhjetë vjet më parë. Liria e shprehjes mbetet komponenti më i prekur i demokracisë: është përkeqësuar në 35 vende në vitin 2023. Zgjedhjet e pastra tani janë të dytat për nga rrezikueshmëria: përkeqësim në 23 vende dhe përmirësim vetëm në 12 syresh. Liria e asociimit, duke përfshirë shoqërinë civile, është komponenti i tretë më i përkeqësuar – 20 vende po e kufizojnë këtë të drejtë ndërsa vetëm 3 po e zgjerojnë atë. Procesi i demokratizimit po avancohet në 18 vende, duke përfshirë rreth 400 milionë njerëz ose 5% të popullsisë së botës. Brazili përbën më shumë se gjysmën e kësaj popullate, me 216 milionë banorë.

42 vende po përjetojnë episode të autokratizimit, prej tyre 28 kanë qenë demokratike. Në vitin 2023 asnjëri nga këto vende nuk është demokraci liberale, dhe vetëm dya mund të konsiderohen demokraci elektorale. Vendet me popullata dhe ekonomi të mëdha si India, Meksiko, Filipinet, Pakistani, Polonia, Rusia dhe Turqia knë ndryshuar shumë në aspekt të demokracisë. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.