ANALIZË: Vetëm 4 ministri kanë arritur të realizojnë mbi 90% të shpenzimeve kapitale në vitin 2023

Realizimi më i ulët i shpenzimeve kapitale në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale dhe në Ministrinë për Shoqëri Informatike dhe atë për Shëndetësi nuk kanë arritur të realizojnë as gjysmën e shpenzimeve kapitale që ishin planifikuar në vitin 2023. Janë publikuar të dhënat e reja të përmbledhura për realizimin e investimeve publike. Portalb.mk i rendit ministritë sipas shkallës së realizimit të shpenzimeve kapitale, të cilat janë një parametër kyç për zhvillimin ekonomik.

Renditja– Cilat ministri, sa para kanë shpenzuar për investime kapitale…

Buxhetin më të madh për shpenzime kapitale e kishte Ministria e Transportit dhe Lidhjeve nën kompetencën e së cilës është realizimi i projekteve infrastrukturore, ndër të cilat bën pjesë edhe më i madhi – “Behtel dhe Enka”. Vitin e kaluar, në bazë të shpenzimeve kapitale nga ky dikaster kanë dalë 306,3 milionë euro, që paraqet 99,62% të planit dhe mu kjo ministri është në krye të listës me përqindjen më të lartë të realizimit të investimeve.

Ministria e Mbrojtjes, e cila gjithashtu disponon me buxhet mjaft të madh, vitin e kaluar ka shpenzuar 68,7 milionë euro ose 94,46% të shumës së planifikuar për shpenzime kapitale. Nga Ministria e Financave – funksionet e shtetit (nga ku transferohen mjetet buxhetore mbi baza të ndryshme te përdorues të ndryshëm), vitin e kaluar, në bazë të shpenzimeve kapitale janë shpenzuar afro 84 milionë euro, që në raport me planin paraqet realizim prej 93,33%.

Një shumë relativisht të madhe për shpenzime kapitale kishte edhe Ministria e Arsimit, e cila në vitin ekonomik 2023 arriti të realizojë 83,24% të planit ose 25,5 milionë euro.  Ministria e Punëve të Brendshme për investime kapitale në vitin 2023 ka shpenzuar gati 15 milionë euro, që përbën 82,22% të totalit të mjeteve të planifikuara.

Ministria e Ekonomisë nga totali i buxhetit për shpenzime kapitale ka shpenzuar 4,4 milionë euro ose 86,84% në raport me mjetet e parashikuara për vitin 2023.  Nga shuma totale e planifikuar për shpenzime kapitale, Ministria e Mjedisit Jetësor vitin e kaluar ka shpenzuar gati 21,4 milionë euro ose 82,48%, ndërsa Ministria e Bujqësisë 9,4 milionë euro, që paraqet realizim të planit prej 83,41%. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për investime kapitale në vitin kalendarik 2023 ka shpenzuar 7,5 milionë euro ose 89,19% të shumës totale të planifikuar.

Realizimi i shpenzimeve kapitale 2023       
Realizimi i shpenzimeve kapitale 2023. Infografik nga Portalb.mk

Ministria e Punëve të Jashtme është në grupin e ministrive me realizim më të ulët, gjegjësisht vitin e kaluar për investime kapitale ka shpenzuar 522.560 euro ose 61,14% të planit. Me një realizim të dobët është edhe Ministria e Financave me 2,5 milionë euro të shpenzuara, që përbën 63,77% të mjeteve të planifikuara.

Ministria e Drejtësisë, e cila bën pjesë në grupin e ministrive me shuma më të vogla për investime kapitale, vitin e kaluar ka shpenzuar 69.000 euro ose 93,73% të totalit të mjeteve në dispozicion për këtë qëllim.  Ministria e Sistemit Politik vitin e kaluar në bazë të shpenzimeve kapitale ka realizuar 16.500 euro, që paraqet 88,52% në raport me planin.

Ndryshe nga ministritë e tjera, disa nuk arritën të realizojnë as gjysmën e asaj që ishte planifikuar. Këtu bën pjesë Ministria e Shëndetësisë, e cila nga buxheti i përgjithshëm për shpenzime kapitale ka shpenzuar 6,3 milionë euro ose 49,19% dhe Ministria e Shoqërisë Informatike, e cila vitin e kaluar ka shpenzuar 715.600 euro ose 41,26%.  Nivelin më të ulët të realizimit e ka Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, e cila shpenzoi 20.200 euro ose vetëm 29,29% të planit. Në total, në vitin 2023, realizimi i shpenzimeve kapitale të të gjitha institucioneve shtetërore, ministrive, agjencive, Qeverisë, Kuvendit, Presidentit të Shtetit, inspektorateve, gjyqësorit, fondeve, komisioneve, arrin në 719.550.000 euro ose 91,58% në raport me planin për të gjithë vitin ekonomik.