MITI I DEMOKRACISË

Kultura jonë, shkencore dhe më gjerë, këtë radhë puqet me një vepër të politologut, historianit dhe filozofit të dalluar suedez Tage Leonard Lindbom (1909-2001), autor i më tepër se njëzet librave mbi filozofinë dhe fenë, të përkthyera në shumë gjuhë botërore, një nga arkitektët intelektualë të shtetit suedez të mirëqenies, që pas LDB do të përjetojë një ndryshim thellësinor intelektual dhe shpirtëror, duke përvetësuar pikëpamje politike më konservatore, duke u bërë përfaqësues i shkollës tradicionale dhe pereniale të filozofisë.

Miti i demokracisë (Logos-A, 2024), shqyrton një mit politik që dallon nga ai kozmogonik dhe eskatologjik (Pondé, 2018), “lopën e shenjtë” të kohës (David, 2013), konceptin e legjendarizuar, të totemizuar, të shenjtëruar të  dhe mesianizuar të demokracisë si pjesë e botëkuptimit shekullarist perëndimor, ëndrrën demokratiko-egalitare, duke eksploruar tensionet mes fesë dhe ideologjisë moderne shekullare. Ai nocionin e demokracisë – të përdorur në shumë kuptime, shpesh edhe të banalizuar – dhe mënyrën e jetesës që përftohet nga ajo e zbërthen duke i vënë nën llupë premisat, sfondin e psikologjik të saj (Baldık, 198), me “të gjithë simptomat kërcënues” (Panichas, 1997), gjithnjë duke pasur si bazë filozofinë, nga perspektiva e së cilës e analizon kryq e tërthor “krizën e brendshme të Qytetit Njerëzor”, mënyrat për të dalë nga labirinti ekzistencial i epokës sonë.

Ai i kritikon themelet e  shoqërisë demokratike, shënjon falimentimin e liberalizmit dhe të socializmit, thekson se ideja e barazisë që është kultivuar nga Revolucioni Francez e ka dërrmuar kulturën perëndimore. (Aström, 2023) Ai godet tejzën akiliane të demokracisë, të humanitetit vetëqeverisës: demokracia moderne, që sot ka arritur dallgën e trembëdhjetë (Gunitsky, 2018), karakterin e vet e shpërfaq si mohim i autoritetit hyjnor, duke prodhuar disharmoni, neuroza dhe brengë në vend të baraspeshës dhe qetësisë mendore e shpirtërore. Sipas tij, demokracia, si qëndrim, filozofi, doktrinë e jetës sociale dhe ekonomike, është produkt i njeriut shekullar të mbështetur nga racionalizmi dhe sensualizmi, që mundohet të ikë nga urdhëresat hyjnore. “Pyetja e përhershme mbetet nëse praninë tonë si njerëz mbi këtë tokë duhet ta kuptojmë si një mëkëmbësi ose amanet nën sovranitetin e qiellit e të urdhëresave hyjnore, apo duhet të përpiqemi të çlirohemi nga çdo sundim më i lartë, me supremacinë njerëzore si synim përfundimtar”. “Kur hyjnorja mohohet totalisht, përfundimi i pashmangshëm është se nuk ka asgjë tjetër që ta zëvendësojë përveç shpirtit të mohimit, djallëzores” – shprehet Lindbom.

Me një fjalë Lindbom përmes pyetjeve “Kush do të sundojë? Zoti apo njeriu?” “Gudsstat” (shteti hyjnor) ose “Folksuveränitet” (sovraniteti i popullit)? bën çmitizimin e demokracisë si fakt politik vetë-evident dhe pohon se nuk mund të bëhet dizajni i komunitetit të qëndrueshëm vetëm në saje të volonté générale, të vullnetit të përgjithshëm apo të popullit. Demokracia, që synon çlirimet e reja botërore progresiste duke fuqizuar pushtetin, nuk është një regjim i virtytshëm, nuk është “mirësi apo virtyt per se” (Rousseau), por një vegël për të realizuar lirinë e bazuar në pushtet/forcë (power). Virtyti, që është recetë shpëtimi nga kriza e shkaktuar nga prishja e balancës  mes  njeriut dhe rendit kozmik, sipas tij është pikëtakimi mes përsosurisë hyjnore dhe jetës së njeriut. Demokracia si sistem njeriun e shpie në lartësim pseudometafizik, e bën të vetëhyjnizohet, të vetëadhurohet, i ofron atij plotpushtetshmëri dhe njëdimensionalitet të pacak dhe në fund e shpie në një krizë nihiliste qytetërimore.

Kjo vepër ikonoklastike, që trazon nga dehja e post-komunizmit me demokracinë si sistemi më i mirë i shpikur deri më sot, kur ndodhi sakralizimi i këtij termi, mund të shndërrohet në doracak të atyre që merren me shkenca e filozofi politike, të të gjithë individëve që mendojnë me kokën e tyre e që kanë pasion leximin e librave avangardë, që nuk përfshihen nga psikologjia e turmës dhe nga ethet mainstream të kulturës dominante globale.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.