MBJELLËSIT E KRYQAVE

Heronjtë e kolumnave të mia kanë qenë dhe janë zuzarët, që pisllëqet i bëjnë në emër të Zotit dhe të Atdheut. Ata u takojnë etnive dhe besimeve të ndryshme, ndaj kjo paanësi e dëshmuar prej vitesh, ma jep të drejtën ta shpreh mendimin pa brerje ndërgjegje, sa herë që bëmat e të tillëve tejkalojnë kufijtë e të pranueshmes dhe nxisin urrejtje e armiqësi të pajustifikueshme mes njerëzish të thjeshtë e të urtë, të cilëve u mjaftojnë hallet e tyre. Kësaj here po i rikthehem vakisë së mbjelljes së kryqave vend e pa vend nga individë dhe grupe fundamentalistësh ortodoksë, të cilët, javën që shkoi, e tebdilosën besimin në patericë për mbështetjen e prapësive të patolerueshme nga shtetet laike, në të cilat funksionon drejtësia për të gjithë njësoj, pavarësisht përkatësisë etnike, fetare e kulturore. Fjalën e kam për vendosjen e një kryqi në Tumën e Madhe, karshi Liqenit të Zi, që gjendet mbi fshatrat e banuara 100% nga shqiptarët e besimit musliman, si: Bogovina, Piroku, Gradeci, Senakosi, Rakoveci, Gjurgjevishti, Gorjani e Llomnica. Ky akt i shëmtuar duhet të zbardhet nga organet e rendit që zakonisht nuk reagojnë dhe nuk ndërmarrin me kohë masat e duhura kundër piromanëve, bëmat e të cilëve sigurisht nuk janë të rastësishme dhe nuk i sjellin asnjë të mirë vendit, që e quan veten demokratik, multietnik, multireligjoz dhe multikulturor.

Te merremi vesh: shqiptarët nuk janë kundër asnjë feje dhe asnjë simboli fetar, sepse edhe brenda qenies së tyre kolektive bashkëjetojnë prej shekujsh në harmoni të plotë si besimtarë muslimanë, bektashinjë, ortodoksë dhe katolikë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se dikush mund të tallet me ne si ia do qejfi dhe si ia thotë mendja çatrafile. Monstrat në fjalë duhet të heqin dorë nga provokimet e ulëta, sepse simbolet fetare e kanë vendin në faltore ku shkojnë e i luten Zotit besimtarët e devotshëm, jo në maja shkëmbinjsh e kodrash. Aq më pak në sinore të populluara dem baba dem nga njerëz me besime që dallojnë nga “besimi” i piromanëve, të cilët pandehin se Maqedonia e Veriut është vetëm pronë e tyre, kurse shqiptarët janë ardhacakë, uzurpues dhe armiqë të atdheut të “maqedonasve biblikë”.

Ata me vetëdije të plotë  mbjellin kryqa dhe ndërtojnë makete kishash politike ku u teket, duke tentuar që me to t’ua bëjnë me dije shqiptarëve se janë në tokën sllave dhe të nxisin shpërnguljen e tyre udhëve të trasuara nga garashaninët, pashiqët, rankoviqët…

Dhe kjo nuk është e gjitha, sepse pritjet e iblisit janë edhe më të mëdha. Ai do që unë, ti, ne… të shklasim në konflikte religjioze në stinën kur e kanë kuptuar edhe laraskat se halë në syrin e albanofobëve nuk është besimi fetar i shqiptarëve, po etnia e sulmuar me shekuj nga bishat që kërkojnë t’na pjekin në komora gazi. Fatmirësisht kohët kanë ndryshuar dhe gjynahët më kot synojnë t’na e faturojnë zgjeben personale: t’na portretojnë si fundamentalistë islamikë dhe si njerëz pa ndjenja etnike, ta nxisin rebelimin tonë me flamuj religjiozë, t’na paraqesin para botës si kundërshtarë të krishterimit, si muslimanë radikalë dhe armiq të Perëndimit…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.