Mbi traditën e spastrimeve etnike

Ky është titulli i shkrimit të autorit Danillo Radojeviq, të botuar në të përjavshmen “Monitor” të Podgoricës, që nis me gjenocidin e vitit 1877-78, kur Serbia masakroi dhe dëboi përsijeta nga Sanxhaku i Nishit mijëra familje shqiptare, në shtëpitë e të cilëve u vendosën kolonët serbë.

Gjysëm shekulli më vonë, antishqiptari Vasa Çubriloviq, në projektin “Dëbimi i arnautëve” mori si shembull pikërisht këtë masakër monstruoze për spastrimet e reja të viseve shqiptare.
Për strategjitë e kolonizimeve dhe spastrimeve etnike, të përgatitura në institutet speciale që gatuajnë prej shekujsh plane për shfarosjen e shqiptarëve, kanë shkruar shumë autorë serbë, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Njohja e këtyre marifeteve me thelb gjenocidal është e rëndësishme, sepse nëpërmjet tyre, njësoj si dikur, Serbia përpiqet të ripushtojë edhe në sh. XXI Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjën.

Gjithnjë sipas Danillo Radojeviqit, në njërin prej projekteve monstruoze të vitit 1937, Gjorgje Perina, drejtuesi i Bashkësisë së Kooperativave Bujqësore Serbe shkroi: “Arnautët, si element i huaj, paraqesin rrezik kombëtar dhe politik për ne, janë të shumtë, të fortë dhe kompaktë, kanë zënë një pozicion qendror dhe kanë ndërprerë vazhdimësinë tonë kombëtare dhe lidhjet e rëndësishme të komunikimit, që kalojnë nëpër këto rajone”.

Perina pohon se, ndërmjet viteve 1921-1931, serbët e Vojvodinës u rritën për 17.3 %, por sërish nuk ndiheshin mirë, sepse serbizimi nuk ishte i plotë. Shi për këtë, përgatitën planin për zhvendosjen e dhunshme të popujve, me çka do të zgjidhej çështja e zgjerimit të territoreve, nëpërmjet bërjes shumicë të pakicave serbe. Për aq kohë sa qëndroi në këmbë, Jugosllavinë e Versajit (shtetin e serbëve, kroatëve dhe sllovenëve), serbët e shfrytëzuan si maskë për fshehjen e synimit për krijimin e Serbisë së Madhe. Jo rastësisht, në sinoret e etnive të tjera, u hapën shkolla serbe, misioni i të cilave ishte serbizimi ose emigrimi i detyrueshëm i joserbëve. Këtë krim antinjerëzor e nisën me dëbimin e shqiptarëve të Kosovës në Shqipërinë e sakatuar londineze, sepse, sipas tyre: atje ende kishte djerrina në të cilat mund të strehoheshin një numër i madh arnautësh.

Në shkrimin e tij Radojeviq sjell fragmente nga fjalimi i inxhinierit Arsenije Kërstiq, të lexuar në Klubin Kulturor Serb në prill të vitit 1928, ku mes tjerash thotë: Serbia e Jugut është territori që ushtria serbe e çliroi dhe e aneksoi në vitin 1912 – 1913, bashkë me pjesën që ushtria malazeze e çliroi në ato luftëra. Ne mund të kemi sukses në Serbinë Jugore vetëm nëse e zgjidhim problemin e kolonizimit të sinoreve ku jetojnë masa etnikisht të pastra.

Kërstiqi shpreh keqardhje për malazezët që gjoja jetonin keq në pyjet e vogla të Deçanit, të Pejës dhe Gjakovës. Përmirësimin e jetës së tyre ai e shihte në dëbimin masiv të arnautëve dhe në popullimin e shpejtë të sinoreve të tyre me bërsjakë, liçanë dhe malazezë. Spastrimin etnik ai e ngriti në obligim kombëtar. Sipas tij: Lufta për tokat e reja serbe nuk është një shkëmbim i thjeshtë mallërash, po një luftë kombëtare dhe konomike, sepse në të përplasen dy kombe: serbët dhe arnautët. Pushtimi i tokave arnaute nuk është i nevojshëm vetëm për forcimin ekonomik dhe shëndetësor të elementit kombëtar, por është i rëndësishëm edhe për sigurinë e vendit dhe mbrojtjen e kufijve tanë jugorë.

Kërstiqi kërkoi nga Instituti bujqësor që të përgatisë mundësinë e grupimit të serbëve në masat arnaute të Metohisë, Kosovës, Drenicës, Shalës, Grykës së Kaçanikut… dhe më pas të studionte synimet përfundimtare serbe drejt detit Egje: Meqë toka më e mirë është në duart e arnautëve, ajo duhet të kalojë sa më parë në duart tona dhe, meqë rethanat janë të vështira arnautët do ta shesin tokën e tyre me çmime të lira. Vetëm kështu do të mund të fillojmë me futjen e familjeve tona në fshatrat e pastra arnaute. Kjo do të ishte një mënyrë e sigurt për të copëtuar masat etnike arnaute, nëse do të bëhej sistematikisht, duke ua kufizuar pyjet dhe kullotat…

Fjalim të ngjashëm, mbajti edhe shoveni Jovasheviq, që trajtoi problemin e rrugëve që lidhin muslimanët e Serbisë së Jugut me ata të Bosnjes. Për të shmangur këtë, Jovasheviqi kërkoi ndërtimin e rrugëve, që do të shkatërrojnë dhe asimilojnë muslimanët. Rrugët tona, tha ai, do të shqetësojnë lirinë aktuale të vendbanimeve dhe komunave muslimane; do t’na çojnë drejt kolonizimit, sepse serbët do të fillojnë t’i blejnë tokat e tyre. Blerja ose kolonizimi i tokave të tyre do t’i vendosë muslimanët në pozitën e pakicës dhe do t’i bëjë pa asnjë ndikim në administratat komunale. Pasi të mbeten pakicë, muslimanët nuk do të mund t’i zgjedhin as deputetët e popullit në Bijelo Polje, Plevlje dhe Prijepolje… Kështu popullsia muslimane do të humbë tregtinë dhe do të dobësohet ekonomikisht…

Në këtë biçim konference të një biçim Klubi Kulturor, u trajtua edhe nevoja urgjente për zhbërjen e gjuhëve të etnive të shndërruara në pakica, që kishte të bëjë edhe më gjuhën shqipe, e cila, përkundër gjithë mizorive të ushtruara mbi folësit e saj, arriti të mbijetojë.

Këto janë vetëm disa copëza të përkthyera dhe shkëputura nga shkrimi i Danillo Radojeviqit, titulli xigëlues i të cilit më nxiti t’ua ofroj edhe lexuesve të PortAlbit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.