Ndër temat më të diskutuara shqiptare gjatë tri dekadave të fundit ka qenë dhe vazhdon të mbetet identiteti etnik, një çështje me të cilën, të paktën në Ballkan, zakonisht merren popujt që ndodhen në fazën e kërkimit ose të ridefinimit të shenjave të tyre identitare.
Pikërisht për këtë, që në fillim të kësaj kolumne, shtrohet pyetja themelore: ç’është në të vërtetë identiteti?
Sipas studiuesit Anthony D. Smith, autor i veprës “National Identity” (Londër, 1991), janë 6 tipare kryesore të një bashkësie kombëtare: emri kolektiv i përbashkët, miti mbi prejardhjen e përbashkët, kujtesa historike, elementet dalluese të kulturës së përbashkët, lidhja me një atdhe të caktuar dhe ndjenja e solidaritetit ndërmjet pjesëtarëve të komunitetit.
Në rastin e shqiptarëve, këto tipare janë të pranishme në mënyrë të qartë. Për këtë arsye, dyshimet që ngrihen herë pas here mbi identitetin shqiptar janë të pabazuara dhe tendencioze, sepse ne i plotësojmë pothuajse të gjitha kriteret themelore për përkufizimin e identitetit kombëtar.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se identiteti nuk përballet me rreziqe reale. Në mungesë të mekanizmave të fuqishëm institucionalë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, ndikimet e pakontrolluara të globalizimit dhe modeleve të huaja kulturore mund të çojnë gradualisht drejt zbehjes së disa prej tipareve tona identitare.
Për mendimin tim, dilemat dhe dyshimet lidhur me identitetin e shqiptarëve shpesh nxiten nga interesa të caktuara dhe nga individë të papërgjegjshëm, të instaluar në segmente të rëndësishme të jetës publike. Në këtë kategori hyjnë pseudo-intelektualë pa vizion kombëtar, gazetarë të papërgatitur, politikanë të interesit të ngushtë, individë me mungesë dinjiteti dhe klerikë antikombëtarë që deformojnë vetëdijen kolektive.
Këta njerëz, me një vonesë historike prej më shumë se një shekulli, përpiqen të relativizojnë pikëpamjen rilindase dhe të zbehin të vërtetat historike mbi pushtimet e huaja në trojet shqiptare, të vërtetat e përjetuara dhe të përjetësuara nga ata që sakrifikuan gjithçka për njësimin e gjuhës, kombit dhe atdheut.
Këta mohues të mbrojtur nga keqkuptimi i lirisë demokratike, sulmojnë publikisht vlerat tona kombëtare dhe figurat historike pa të cilët nuk mund të ndërtohet vetëdija e një kombi.
Mjafton të shohim rrjetet sociale dhe mediet elektronike për t’u përballur me propagandën e individëve të mbarsur me nostalgji bizantine ose neo-osmane, të cilët përpiqen sistematikisht të rrënojnë themelet e kombit. Ata shfrytëzojnë simpatinë e natyrshme të njerëzve ndaj popujve të tjerë, duke harruar se me asgjë tjetër nuk mund të zëvendësohet identiteti kombëtar dhe kulturor.
Si pasojë, ndodh paradoksi që, ndërsa popujt e tjerë përpiqen të ndërtojnë identitete të qëndrueshme mbi baza shpesh artificiale, ne vëmë në dyshim identitetin tonë të njohur historikisht. Në vend që ta forcojmë atë, shpesh e relativizojmë, duke e paraqitur si produkt të rrethanave politike apo të periudhave të caktuara ideologjike.
Megjithatë, historia dëshmon se shqiptarët kanë mbijetuar në kushte jashtëzakonisht të vështira. Ata u mbijetuan pushtimeve të njëpasnjëshme edhe në periudha kur nuk gëzonin as të drejtën e një shkolle apo shkronje shqipe. I mbijetuan gjithashtu represionit shumëvjeçar sllav, në kohën kur bartës të identitetit kombëtar ishin vetëm odat, folklori dhe tradita gojore.
Prandaj është paradoksale që sot, në kohë lirie relative dhe mundësive më të mëdha të komunikimit, të tregojmë kaq pak kujdes për ruajtjen e vetvetes.
Rilindësit shqiptarë e kuptuan me kohë rrezikun e shpërbërjes kombëtare. Për këtë arsye ata artikuluan tezën e njohur: “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, jo për të dobësuar fenë, por për të forcuar unitetin kombëtar.
Sot kur informacioni qarkullon lirshëm, dhe kur shqiptarët jetojnë të shpërndarë në disa shtete ballkanike, ne, ndonëse duket sikur integrohemi me botën moderne, shpesh po lejojmë një dezintegrim të brendshëm kulturor e shpirtëror.
Prandaj nuk duhet të mashtrohemi nga kozmopolitizmi i rremë dhe as të besojmë se popujt tjerë kanë hequr dorë nga mbrojtja e identitetit të tyre. Dallimi ndërmjet nesh dhe kombeve të zhvilluara evropiane qëndron pikërisht te fakti se ata e mbrojnë identitetin e tyre me mekanizma institucionalë, ndërsa ne mjaftohemi vetëm me retorikë patriotike.
Rreziqet ndaj identitetit tonë janë të shumta. Ndër më të dukshmet mund të përmenden:
Tendencat për krijimin e një identiteti artificial “kosovar”, që në praktikë po manifestohet gjithnjë e më dukshëm, sidomos në disa media publike, pavarësisht ekzistencës së standardit të njësuar të shqipes.
Rritja e frymës progreke dhe neo-osmane ndër shqiptarët, jo në funksion të plotësimit të historisë me të dhëna të reja, por në funksion të relativizimit të saj dhe të zëvendësimit gradual të narrativës historike shqiptare.
Tkurrja e identitetit kombëtar duke keqpërdorur besimet fetare të shqiptarëve.
Hapja e pakontrolluar e shkollave të huaja, ku historia dhe kultura shqiptare trajtohen si lëndë dytësore.
Ndikimi i disa medieve elektronike që promovojnë modele sjelljeje dhe përmbajtje të huaja për traditën dhe kodin moral shqiptar, duke ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë te brezat e rinj.
Sulmet publike ndaj figurave më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare, të nxitura nga interesa politike dhe ideologjike.
Së këndejmi, bazuar në zhvillimet aktuale, duhet të pranojmë se identiteti ynë kulturor dhe shpirtëror përballet me sfida reale.
Për fat të keq, përkundër faktit se sot kemi universitete dhe institucione kulturore, që duhet të jenë në funksion të mbrojtjes së trashëgimisë kombëtare, mbetet pyetja nëse kjo do të mjaftojë përballë presioneve të globalizimit dhe dobësimit të vazhdueshëm të identiteteve të kombeve të vogla.
Prandaj nuk e dimë si do të mbijetojnë shqiptarët përballë papunësisë, mungesës së prrspektivës dhe emigrimit masiv të të rinjve? Si mund të ruhet identiteti kulturor në qytete pa kinema, pa teatro, pa revista letrare dhe pa aktivitete të mirëfillta kulturore?
Këto janë çështje që kërkojnë përgjigje urgjente nga politika dhe elita intelektuale shqiptare, nëse duam që koha dinamike në të cilën jetojmë të mos na gjejë të fragmentuar shpirtërisht e kombëtarisht.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.