Mbi larminë dhe “tjetrin”

Kurrë nuk kam fyer kombe, kultura, gjuhë, religjione apo raca. Ksenofobinë e konsideroj të dëmshme, në radhë të parë, për kulturën time. Larminë etnike, kulturore, gjuhësore apo fetare e vlerësoj si pasuri. Vendet me këtë larmi i kam krahasuar me kopshtet me lule shumëngjyrëshe që rriten pa u penguar nga ferrat e urrejtjes ndëretnike.

Kur e vizitojmë një vend, ne kënaqemi kur aty shohim njerëz prej kombesh e racash të ndryshme. Pa këtë larmi, një vend nuk është joshës. Por mendjet e errëta dhe provinciale e shohin larminë e sipërpërmendur si pengesë për zhvillimin e një shoqërie. Shembulli më i freskët janë britmat në një ndeshje basketbolli në Kumanovë, ku ishin të pranishëm edhe krerët më të lartë të shtetit.

Këtu ka elita politike e kulturore që i keqpërdorin tensionet ndëretnike për të realizuar qëllime të mbrapshta ose për t’i hijezuar dështimet e tyre. Ka politikanë që bënë karrierë politike duke shfrytëzuar paragjykimet etnike, edhe pse tani shtiren se e vlerësojnë diversitetin kulturor si vlerë themelore europiane.

Elitat politike e kulturore mund t’i thellojnë përçarjet ndëretnike kur udhëhiqen nga logjika përjashtuese, ashtu siç mund të krijojnë ura mirëkuptimi nëse e zgjedhin modelin përfshirës të bashkëjetesës ndërmjet popujve.

Maqedonia e Veriut është mozaik popujsh, kulturash, gjuhësh e religjionesh. Është një vend i vogël me probleme të mëdha, sepse kjo larmi vazhdon të perceptohet si rrezik dhe jo si pasuri.

Për funksionimin normal të një shoqërie shumetnike duhet vetëdije e re për “tjetrin” dhe për shtetin. Një shoqëri e këtillë nuk mund të ndërtohet nga elitat politike e kulturore të papërgjegjshme që i nxisin ose i shfrytëzojnë tensionet ndëretnike për përfitime të vogla dhe afatshkurtra.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.