Mbi 50 përqind e kompanive të huaja nuk duan të investojnë rishtas në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut nuk po arrin të kalojë pragun vjetor të investimeve të huaja prej 1 miliard eurove, pavarësisht paralajmërimeve se anëtarësimi në NATO përkthehet me më shumë investime të huaja, raporton Radio Evropa e Lirë. Maqedonia e Veriut është anëtarësuar në NATO më 2020.

Në bazë të të dhënave të Bankës Popullore në këtë shtet, Maqedonia e Veriut i ka pranuar 616.7 milionë euro në formë të investimeve të huaja, më 2023.

Kjo shifër është e përafërt me investimet e huaja në Kosovë, Malin e Zi dhe Bosnje – Hercegovinë.

Serbia, e cila nuk është anëtare e NATO-s, gjatë vitit 2023 ka arritur të tërheqë 4 miliardë euro e gjysmë euro në formë të investimeve të huaja.

Në mesin e vendeve fqinje, që janë pjesë e Bashkimit Evropian ose NATO-s, që tejkalojnë pragun e 1 miliard eurove në vit janë: Kroacia, Sllovenia, Shqipëria dhe Bullgaria.

Së fundi, edhe investitorët ekzistues në Maqedoninë e Veriut janë deklaruar se nuk janë të gatshëm të riinvestojnë.

Investimet e paralajmëruara nuk u realizuan

Gjatë kësaj jave, Drejtoria për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, si përfaqësuese e Qeverisë, e ka ndërprerë marrëveshjen me kompaninë gjermane NEXT.E.GO MOBILE SE, për ndërtimin e fabrikës së veturave elektrike në Tetovë.

Paraprakisht, ky projekt është paralajmëruar me shumë bujë nga zyrtarët shtetërorë, të cilët patën përmendur hapjen e 3-4.000 vendeve të reja të punës.

Në fillim të këtij viti është ndërprerë edhe marrëveshja me kompaninë greke Arhirodon, për ndërtimin e hidrocentralit Cebren, pasi është thënë se kompania nuk ka arritur t’i sigurojë mjetet për realizim të projektit.

Më 2021, në kohën kur Zoran Zaev ishte kryeministër i shtetit, ai pati thënë se gjigantët e teknologjisë, Google dhe Facebook, do të shtrijnë kapitalin e tyre në Maqedoninë e Veriut.

Ato kanë mbetur vetëm premtime.

Si investime kapitale ishte paralajmëruar dhe ndërtimi i studiove të filmit në Shkup, të aktorit John Malkovich, si dhe rivitalizmi i kompleksit të liqenit Treska, po në Shkup, përmes investitorëve turq.

Edhe këto kanë mbetur vetëm premtime.

Njëjtë, premtim ka mbetur edhe paralajmërimi i vitit 2021, për një investim në vlerë të 30 milionë eurosh nga kompania jugkoreane “Almak” dhe kompania amerikane “Dura Automotive Systems” për ndërtimin e një objekti për prodhimin e profileve të lehta për industrinë e automobilave ku duhej të punësoheshin 70 punëtorë me paga rreth 2.000 euro.

Ndryshe, në seancën e Qeverisë të RMV-së me 11 gusht 2022 u miratua ndihma shtetërore për fabrikën e re me teknologji bashkëkohore për prodhimin e veturave elektrike në Zonën zhvillimore teknologjike – industriale në Tetovë. Ndërkaq për të shënuar fillimin e punimeve të cilat nuk përfunduan asnjëherë deri më tani, Qeveria e RMV-së e udhëhequr nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski më 13 gusht 2022 u mblodhën në Tetovë në Zonën për Zhvillim Industrial dhe Teknologjik.

 janar 2024 institucionet bartnin përgjegjësinë te njëra tjetra për procedurën se ku ka ngecur ky proces. Përndryshe, investim shumëmilionësh i NEXT.E.GO MOBILE SE, Ahen, Gjermani në TIRZ Tetovë pritej të hapë tre deri në katër mijë vende të reja pune.