Ambasadorja amerikane në Shkup paralajmëroi edhe emra të tjerë për listën e zezë

Pas publikimit të emrave të rinj në listën e zezë amerikane, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Angela Aggeler, ka paralajmëruar edhe emra tjerë për në listën e zezë, transmeton Portalb.mk.

“Emërimi i sotëm i ish-shefes së Prokurorisë Speciale, Katica Janeva dhe kandidatit aktual për president dhe kryetarit të komunës, Stevçe Jakimovski, nuk duhet të merret si një surprizë për asnjë”, deklaroi ambasadorja.

Ajo theksoi që qytetarët e Maqedonisë së Veriut meritojnë drejtësi prej institucioneve të tyre, ndaljen e krimit dhe korrupsionit.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të publikojnë emra të zyrtarëve nga çdo parti, pjesë e qeverisë ose komunitetit të përfshirë në korrupsion të theksuar”, deklaroi Ambasadorja.

Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar që në listën e zezë amerikane janë future edhe dy persona nga Maqedonia e Veriut, Stevço Jakimovski dhe Katica Janeva. Vlerësohet se aktivitetet e tyre e kanë penguar sundimin e ligjit dhe demokracisë në Maqedoninë e Veriut.

Ndryshe, në listën e zezë amerikane më 20 qershor është futur edhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merkon. Vitin e kaluar,SHBA zgjeroi “listën e zezë”, duke futur në të, ish- zëvendëskryeministri Koço Angjushev, biznesmenin kundërthënës, Orce Kamçev, për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion të profilit të lartë. Në “listën e zezë” amerikane janë edhe ish-drejtori i policisë sekrete, Sasho Mijalkov, dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ish deputeti Xhevat Ademi, ish ministri i punëve të brendshme, Lube Boshkovski dhe të tjerë. Së fundmi kësaj liste i bashkohet edhe kompania “Cytrox“.

Kujtojmë që propozim ligji për masat kufizuese, pra ligji që përfshin personat e listës së zezë arriti në Kuvend në janar, por Qeveria teknike e tërhoqi me arsyetimin për harmonizime shtesë.