BDI paralajmëroi trazira të mundshme në Maqedoninë e Veriut “sipas një skenari rus”

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka paralajmëruar trazira të mundshme në Maqedoninë e Veriut pas zgjedhjeve parlamentare, që do të mbahen më 8 maj, raporton Radio Evropa e Lirë.  Këto trazira, sipas kësaj partie që është pjesë e Qeverisë maqedonase, kanë për bazë një “skenar rus” të koordinuar, siç tha, mes opozitës shqiptare dhe asaj maqedonase, VMRO-DPMNE dhe partisë, E Majta.

BDI-ja, që drejtohet nga Ali Ahmeti, përmes një deklarate pretendoi se fyerjet, që sipas saj po i bën opozita ndaj kandidatit të saj për president Bujar Osmani, si dhe ndaj kryeministrit me mandat teknik, Talat Xhaferit, bazohen në “mungesën e programit zgjedhor dhe nxitjes e tensioneve për shkak të humbjes në zgjedhje”.

Për këtë “skenar”, BDI-ja tha se ka njoftuar edhe faktorin ndërkombëtar, por në komunikatë nuk saktësohet se për çfarë skenari bëhet fjalë dhe nëse për këtë ka marrë indikacione nga shërbimet e sigurisë të Maqedonisë së Veriut.

Por, kryeministri teknik, Talat Xhaferi, ka thënë se Qeveria nuk ka informacione mbi tensione të mundshme para apo pas zgjedhjeve të dyfishta presidenciale dhe parlamentare.

Lidhur me pretendimet e BDI-së ka reaguar edhe kandidati për president i opozitës së bashkuar shqiptare, Arben Taravari, duke e akuzuar këtë subjekt politik për “hipokrizi”.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë më 8 maj, së bashku me zgjedhjet parlamentare. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të fillojë më 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill, kur edhe fillon heshtja që zgjat deri më 24 prill. Fushata për zgjedhjet parlamentare do të fillojë më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.