Mbetet në fuqi ndalimi i daljes jashtë vendit për Ballukun
as një seance të gjatë plot 4 orë, e shoqëruar me debate, Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e GJKKO-së ndaj Belinda Ballukut dhe dy vartësve të saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, raporton Klan.
Siç thuhet edhe në njoftimin zyrtar të SPAK, specifikisht, është lënë në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, për “ndalimin e daljes jashtë vendit”, ndërsa është pezulluar masa e “mosushtrimit të detyrës”, derisa të shprehet përfundimisht Gjykata Kushtetuese.
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më datë 18.12.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 86 akti, datë 11.12.2025 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve B.B., G.Gj. dhe E.E., me objekt “Ankim ndaj vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në lidhje me ankimin e ankueses B.B.
Pezullimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes nr.86 (61007-00414-87-2025), datë regjistrimi 11.12.2025, përsa i përket shqyrtimit të ankimit të ankueses B.B. ndaj vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ajo ka kundërshtuar caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, deri në zgjidhjen me vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese të çështjes së regjistruar për gjykim në atë gjykatë, me kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “(i) zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë; (ii) shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që ka vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases B.B. dhe pezullimin e këtij vendimi; (iii) interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës”, çështje për të cilën Gjykata Kushtetuese ka disponuar me vendimin datë 12.12.2025: “Pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases B.B., sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës”.
Miratimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuara nga neni 237 i K.Pr.Penale, në lidhje me ankuesin E.E.
Miratimin e vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuara nga neni 237 i K.Pr.Penale, masë e caktuar me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025, në lidhje me ankuesin G.Gj.
Në GJKKO, mbërritën këtë të enjte dy avokatët e Ballukut, mes të cilëve edhe motra e saj, Pamela Qirko.
Paralelisht SPAK ka paraqitur në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Ballukut. Kërkesa erdhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila e ka rikthyer përkohësisht zv.kryeministren në detyrë, deri në shqyrtimin e ankimit të kryeministrit Edi Rama për zgjidhjen e konfliktit të kompetencave mes Gjykatës së Posaçme dhe Këshillit të Ministrave.
Belinda Balluku është marrë e pandehur për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”, në lidhje me procedurën për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Ndërkohë, SPAK ka bërë të ditur se hetimet ndaj saj janë zgjeruar, duke përfshirë jo vetëm lotin 4, por 7 lotet e projektit të Unazës së Madhe.
Masën e sigurisë e ka kundërshtuar në Apel edhe drejtori i KESH, Erald Elezi, ndaj të cilit GJKKO ka vendosur “arrest në shtëpi”. Elezi akuzohet për “shkelje të barazisë në tendera”, ndërsa masa është caktuar në lidhje me dy procedura prokurimi me vlerë totale 210 milionë euro, atë të Tunelit të Llogarasë dhe lotit 4 të Unazës së Madhe. Në kohën e zhvillimit të tenderit të Llogarasë, ai mbante detyrën e drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH, ndërsa për Unazën e Madhe ka qenë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.
Gjithashtu, lehtësimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” e ka kërkuar edhe drejtori i ARRSH-së, Gentian Gjyli. Sipas SPAK, ai dyshohet për veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, ndërsa masa ndaj tij lidhet me procedurën e prokurimit për Tunelin e Llogarasë.
Hetimet për tenderat e rrugëve janë pjesë e një sërë procedimesh të nisura nga SPAK për dyshime mbi shkeljen e ligjit në prokurimet publike.
Tuneli i Llogarasë dhe projekti i Unazës së Madhe konsiderohen ndër investimet më të kushtueshme të viteve të fundit në vend.