Mazneva dhe Arsovska ikin prej këshilltarëve: Nuk shkojnë në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit

Drejtoresha e Higjienës Komunale Shkup, Kosana Nikoliq Mazneva dhe kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, nuk erdhën në seancën e sotme të Këshillit të Qytetit të Shkupit, e cila është thirrur për çështjen e mbeturinave në Shkup, pas trazirave në Higjienën Komunale, njofton Portalb.mk.

Koordinatorja e këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së, Marija Andonovska, në seancën e sotme tha se këshilltarët nuk kanë me këtë debatojnë dhe se kjo është shumë joserioze.

“Ju lus të intervenojmë që t’i thërrasim edhe një herë që të vijnë, pasi që nuk ka diçka më të rëndësishme për momentin, përveç mos e dhëntë zoti të rrezikohet gjendja e tyre shëndetësore. Ky do të ishte arsyetimi i vetëm që të mos vinin sot këtu, nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa ata të jenë këtu dhe të debatojmë, na ndodhin probleme, jo vetëm neve, por u ndodhin probleme qytetarëve të Shkupit. Sot kjo, nesër do të jetë diçka tjetër, pasnesër edhe më keq, për atë duhet që këtu të jemi këtu dhe të debatojmë”, tha Andonovska.

Ndryshe, dhjetëra punëtorë të Higjienës Komunale Shkup prej mbrëmjes së 7 korrikut (e premte) deri në mesditën e 10 korrik (e hënë) kanë protestuar dhe refuzuar të dalin në terren për t’i kryer detyrat e punës, për katër kërkesa kryesore, gjegjësisht kthimin e 7 punëtorëve të përjashtuar nga puna pa arsye, harmonizimin e rrogave me rrogën minimale, regres të pagës (K-15) dhe stazh të beneficuar. Me anë të forcave të njësive speciale, drejtoresha e ndërmarrjes në natën mes 9 dhe 10 korrik i nxori 4 kamionë nga hapësirat e ndërmarrjes, ndërkaq të nesërmen me rekomandim të Sindikatës punëtorët u rikthyen në terren. Pasdite, drejtoresha shkarkoi edhe 27 të punësuar tjerë.

Drejtoresha, Kosana Mazneva, e përkrahur nga kryetarja e Shkupit Danella Arsovska, në konferencë për shtyp, ashtu sikur edhe paraprakisht, me dhjetëra herë akuzuan se “struktura mafioze” pengojnë funksionimin normal të ndërmarrjes dhe bllokojnë punën. Akuzat, gjithashtu, ishin edhe për persona që siç thanë, marrin rrogë dhe nuk shkojnë në punë, por edhe për vjedhje të naftës, vajit për makina dhe pjesëve të automjeteve.

Portalb.mk, disa herë e pyeti drejtoreshën dhe kryetaren e Shkupit për të shpjeguar se kush janë këto struktura mafioze për të cilët flasin, por edhe për personat që nuk kanë shkuar në punë dhe kanë marrë rrogë, gjegjësisht kërkoi që të nxirren emrat dhe provat, por, megjithatë, edhe drejtoresha, por edhe kryetarja e Shkupit nuk treguan asnjë provë dhe asnjë dëshmi për akuzat.

Portalb.mk ka dërguar kërkesë për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publike për të marrë të dhëna zyrtare për çështjen e akuzave të drejtoreshës dhe kryetares së Shkupit, gjegjësisht për të treguar se kush dhe në çfarë mënyre e ka dëmtuar Higjienën Komunale Shkup. Deri sot, ende nuk kemi përgjigje.