Në “Malin Sharr” është e ndaluar ndezja e zjarrit, apele për kujdes gjithandej  

Parku Kombëtar “Mali Sharr” ka theksuar edhe njëherë që ndalohet ndezja e zjarrit në territorin e parkut kombëtar si dhe apeluan që këto ditë të nxehta qytetarët të kenë kujdes çka hedhin në mal, me qëllim që të parandalohen zjarret, transmeton Portalb.mk.

Temperaturat e larta të cilat e kanë kapluar këtë periudhë vendin tonë, sjellin rrezik të lartë për t’u përhapur zjarri në hapësirë të hapur dhe zjarr në pyje, dhe për këtë nga PK “Mali Sharr” apelojnë te gjithë banorët për ta rritur vigjilencën dhe mobilizimin.

“Me qëllim për t’u parandaluar pasojat e papëlqyeshme ju rikujtojmë se në territorin e Parkut Kombëtar Mali Sharr është e ndaluar të ndizet zjarr në hapësira të hapura, mos të hidhen shishe plastike dhe xhami, mos të bëhet ndezja e mbeturinave dhe materialeve tjera që përhapin zjarr dhe mos të hidhen filtra dhe bishta cigaresh”, apeluan nga PK “Mali Sharr”.

Kur qytetarët vërejnë zjarre mund të paraqiten në numrin e telefonit 112Qendrën për menaxhim me kriza.

Me apel kanë dalë edhe Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë, të cilët kanë apeluar deri te qytetarët që të jenë të kujdesshëm këto ditë ku temperaturat janë të larta për rrezikun e shfaqjes së zjarreve. Ata thonë që qytetarët duhet të kenë kujdes ku hedhin cigare, pasi shpesh fajtorë është faktori njeri.

“Apelojmë deri tek qytetarët e Komunës së Tetovës, dhe komunave tjera rurale që gravitojnë në Komunën e Tetovës, të jenë sa më të kujdesshëm në këtë periudhë kohore, duke mare parasysh dëmet që mund të shkaktohen nga paraqitja e zjarreve në natyrë dhe në objekte. Gjithashtu apelojmë deri te bujqit dhe pushuesve në natyrë, të mos ndezin zjarre dhe të mos hedhin cigare, pasi që një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë një katastrofë të madhe në këto temperatura të larta”, tha komandanti i Njësisë Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë – Avni Ameti.

Ndryshe, vendi ditëve të fundit po përballet me temperatura të larta, për këtë Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme ka shqyrtuar informacionin nga Ministria e Shëndetësisë për temperaturat e larta që priten në katër ditët e ardhshme dhe ka miratuar rekomandimet përkatëse, të cilat vlejnë nga sot.