Rishpallja e Mavrovës ende askund, udhëheqësia e parkut kombëtar kërkon reduktimin e zonës së mbrojtjes së rreptë

Rishpallja e Parkut Kombëtar të Mavrovës asesi të lëvizë para. Pas plotësimit dhe miratimit të Studimit të Rivlerësimit në dhjetor të vitit 2023, dhjetë vjet pas versionit të tij fillestar, procesi ka ngecur para fillimit të hartimit të projektligjit. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapsinor thonë se udhëheqësia e re e parkut kërkon një revizion të Studimit, sepse ka vërejtje mbi mbulimin e zonës së mbrojtjes së rreptë. Kërkohet që fillimisht të kryhet një Studim Socio-Ekonomik që do t’i përpunojë mundësitë për popullatën lokale përpara se të rishpallet parku. Kërkesat e reja do ta vonojnë procesin përsëri, i cili po pritet tashmë për më shumë se dy dekada. Ndërkohë, habitati i rrëqebullit të Ballkanit dhe shumë specieve të tjera të rrezikuara është bërë shtëpia e dhjetëra hidrocentraleve të vogla, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Sipas Studimit më të fundit më shumë se gjysma e sipërfaqes së Parkut Kombëtar të Mavrovës duhet të jetë një zonë e mbrojtjes së rreptë dhe menaxhimit aktiv, ndërsa pjesa tjetër një zonë e përdorimit të qëndrueshëm dhe një zonë tampon. Kjo duhet të kishte qenë një rritje prej mbi 20 përqind e pjesëve më të mbrojtura në mënyrë më të rreptë të parkut, krahasuar me të njëjtin dokument të përgatitur në vitin 2012. Studimi konstatoi edhe kufij të rinj të jashtëm të parkut kombëtar, të cilët do ta rrisin sipërfaqen e tij për mbi 1.000 hektarë.

Ministri i mjedisit jetësor, Muhamet Hoxha thotë se Ministria është në negociata me udhëheqësinë e parkut kombëtar për ta vazhduar procedurën që u stopua në vitin 2024. Krahas përgatitjes së projektligjit për Rishpalljen nuk filloi as përgatitja e Planit të Menaxhimit, me të cilin duhej të ishte bërë edhe Studimi Socio-Ekonomik, ndërsa në ndërkohë Fondacioni Global i Konservimit hoqi dorë nga financimi dhe i ka tërhequr paratë e tij sepse nuk ka pasur përparim në procedurën e shpalljes.

Drejtori i Drejtorisë së Mjedisit Jetësor, Igor Nikoski, thotë se me këtë udhëheqësi kanë dallime në pjesën që duhet të përfshihet si zonë e mbrojtur në mënyrë të rreptë e Parkut Kombëtar të Mavrovës, e cila, sipas studimit të fundit, është rreth 26 përqind e territorit të parkut.

“Fakti që Mavrova për shumë vite nuk është rishpallur si park kombëtar është një minus për vendin tonë, e sidomos për popullatën dhe për natyrën e parkut. Rishpallja do të thotë edhe miratim i një Plani për Menaxhim, mundësi për donacione dhe investime, si dhe mundësi për zhvillim. Studimi i rivlerësimit është kryer nga udhëheqësia e mëparshme e parkut, por me udhëheqësinë aktuale janë shfaqur dallime në lidhje me atë që përcaktohet si zonë e mbrojtur në mënyrë të rreptë. Për momentin po kërkohet një zgjidhje se si të vazhdohet procedura”, thotë Nikoski.

Ai thotë se në periudhën e ardhshme do të duhet të mbahen diskutime publike me popullatën lokale dhe autoritetet lokale, në të cilat do të duhet të shihen pikëpamjet dhe vëzhgimet e tyre mbi zonimin e parashikuar me studimin. Nikoski thotë se zona problematike është një përqindje shumë e vogël dhe se është optimist se dallimet do të kapërcehen shpejt dhe procesi do të vazhdojë.

Drejtori i Parkut Kombëtar “Mavrova”, Haris Ibraimi, thotë se ata insistojnë të përgatitet një Studim Socio-Ekonomik në mënyrë që të mund t’i parashikojnë të gjitha nevojat për funksionimin normal të popullatës që jeton brenda parkut, përpara se të miratohet një zonë e madhe si një zonë të mbrojtur në mënyrë të rreptë në të cilën nuk do të lejohen të lëvizin ose të punojnë.

“Një zonë e mbrojtur në mënyrë të rreptë do të thotë që njerëzit që jetojnë në park do të duhet të regjistrohen te rojet nëse duan të lëvizin atje. Ata nuk do të mund t’i përdorin livadhet për kullotjen e bagëtive,  e as të ndërmarrin ndonjë aktivitet. Nëse ndodh kjo, nga ato 25 përqind e popullsisë, nuk do të mbetet as 10 përqind “, thotë Ibraimi.

Ai është i mendimit se studimi duhet të punohet në bazë të propozimeve të popullsisë, për të cilat duhet të mbahen takime në të cilat do të dëgjohen kërkesat e tyre. Ai pret që të identifikohen pikat ku mund të zhvillohet bujqësia, blegtoria dhe turizmi dhe se kjo do të merret parasysh përpara se të ndalohen të gjitha aktivitetet. Problematike janë disa pika, kryesisht rreth fshatrave, por Ibraimi thotë se duhet të merret në konsideratë edhe sipërfaqja e zonave të mbrojtura rreth specieve endemike, të cilat ai beson se janë shumë të mëdha.

Rishpallja e Mavrovës, bazuar në Ligjin për Natyrën të miratuar në vitin 2004, ka ngecur prej vitesh. Një studim për vlerësimin e zonës së mbrojtur u përgatit edhe në vitin 2012, por procesi i rishpalljes u stopua për shkak të reagimeve publike në lidhje me ndërtimin e planifikuar të objekteve energjetike në zonat e mbrojtura.

Procesi vazhdoi në vitin 2023 kur Studimi u plotësua, për çka u kryen edhe hulumtime shkencore. Ata konfirmuan praninë e 14 individëve të rrëqebullit të Ballkanit, 130 arinjve, një popullate të qëndrueshme ujqërish, si dhe një nga popullatat më të mëdha të fluturës së bakrit, një specie e rrezikuar që është në listat e kuqe nën mbrojtje të rreptë. Parku kombëtar ka popullatën më të madhe të dhive të egra dhe një popullatë të qëndrueshme të drerëve të egër, më të rëndësishmit për dietën e rrëqebullit të rrezikuar. Sipas studimit në dhjetë vitet e fundit në parkun kombëtar është rritur sipërfaqja e pyjeve nga 30.600 në 36.200 hektarë, si dhe sasia e rezervave të drurit. Në të ndodhet edhe numri më i madh natyror i gështenjës së egër, me një numër të madh pemësh shekullore.

Kujtojmë se në prill 2025, në programin vjetor për natyrën nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor kishin paraparë rreth 325.000 euro, të cilat do të duhet të ndahen për aktivitete që do ta përmirësojnë punën e tyre dhe do të sigurojnë infrastrukturën e nevojshme për të funksionuar më me sukses. Sipas njoftimeve të Ministrisë, parqet kombëtare “Pelister” dhe “Mali Sharr” do të bëhen me info qendra të reja, “Galiçica” do të mbështetet për blerjen e pajisjeve për kontroll dhe monitorim më të mirë të ishullit Golem Grad, ndërsa “Mavrova” do të fitojë pajisje për rregullimin e lokaliteteve turistike.

qershor 2025, mbi 15 organizata dhe iniciativa të shoqërisë civile i paraqitën kërkesë zyrtare Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar veprime urgjente për të rishpallur dhe mbrojtur Parkun Nacional të Mavrovës në përputhje me dispozitat ligjore.