Marrëveshja e Ohrit dhe ideja e një shteti gjithpërfshirës

Sot bëhen plot 25 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Një çerek shekulli është kohë e mjaftueshme që një dokument historik të mos gjykohet më vetëm nga emocionet e momentit në të cilin është krijuar, por nga ajo që ka prodhuar gjatë viteve. Dhe sot mund të thuhet me mjaft siguri: Marrëveshja e Ohrit nuk ishte vetëm dokumenti që i dha fund konfliktit të vitit 2001. Ajo ishte marrëveshja që e mbajti këtë shtet bashkë dhe e ndryshoi mënyrën se si ai e kupton vetveten.

Që në parimet e saj të para, Marrëveshja e Ohrit bën dy gjëra që shpesh harrohen kur flitet për të. Nga njëra anë, ajo e shpall të paprekshëm sovranitetin, integritetin territorial dhe karakterin unitar të shtetit, duke përjashtuar shprehimisht zgjidhjet territoriale për problemet etnike. Nga ana tjetër, kërkon që karakteri shumëetnik i shoqërisë të ruhet dhe të reflektohet në jetën publike. Këtu qëndron në fakt filozofia e Marrëveshjes së Ohrit: një shtet unitar, por jo një shtet në të cilin shumica mund ta përdorë numrin e saj për t’i mbizotëruar të tjerët.

Pikërisht për këtë arsye Marrëveshja e Ohrit ndërtoi disa shtylla që e transformuan sistemin politik dhe kushtetues të vendit. Ajo solli decentralizimin dhe fuqizimin e vetëqeverisjes lokale; parimin e mosdiskriminimit dhe përfaqësimit të drejtë të komuniteteve në administratën publike; mekanizmin e shumicës së dyfishtë për ligjet që prekin gjuhën, arsimin, kulturën, simbolet dhe çështje të tjera identitare; të drejta më të gjera gjuhësore dhe arsimore; si dhe mbrojtjen e identitetit kulturor, gjuhësor dhe fetar të komuniteteve.

Kështu, Maqedonia u largua nga modeli klasik në të cilin demokracia kuptohet thjesht si sundim i shumicës dhe u drejtua drejt një demokracie konsensuale dhe të ndarjes së pushtetit, ku për çështje të caktuara shumica nuk mund të vendosë pa marrë parasysh vullnetin e komuniteteve që nuk janë shumicë. Parimi i shumicës së dyfishtë, i njohur më pas si parimi i Badinterit, është ndoshta shprehja më e qartë institucionale e kësaj filozofie.

Kërkesat që sollën deri te ky ndryshim u artikuluan para së gjithash nga shqiptarët, duke qenë se deri atëherë kishin qenë dukshëm të margjinalizuar në shumë institucione të shtetit. Por Marrëveshja e Ohrit nuk mund të reduktohet në një marrëveshje “për shqiptarët”. Vetë teksti flet vazhdimisht për komunitetet dhe ndërtoi mekanizma prej të cilëve përfituan turqit, romët, vllehët, serbët, boshnjakët dhe komunitetet e tjera.

Në një kuptim më të gjerë, prej kësaj logjike përfituan edhe vetë maqedonasit. Sepse një sistem që pengon majorizimin nuk ka kuptim vetëm në nivel shtetëror. Në një shoqëri të larmishme, shumicat ndryshojnë varësisht nga niveli dhe nga komuna. Ideja që askush nuk duhet të ndihet i përjashtuar vetëm sepse në një vend të caktuar është numerikisht më i vogël, është në interes të secilit komunitet. Marrëveshja e Ohrit, në thelb, krijoi rregulla për një shtet në të cilin askush nuk duhet t’ia caktojë “vendin” tjetrit, por të gjithë duhet ta kenë vendin e tyre.

Dhe mbi të gjitha, Marrëveshja e Ohrit solli paqe. Ajo u arrit me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare dhe zbatimi i saj u lidh drejtpërdrejt me angazhimin e Bashkimit Evropian, NATO-s, OSBE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo jo vetëm që ndali konfliktin, por hapi rrugën që një komunitet i madh, i cili për vite të tëra kishte qenë i margjinalizuar, të integrohej shumë më fuqishëm në institucionet e shtetit.

Megjithatë, një pjesë e shoqërisë maqedonase asnjëherë nuk e pranoi plotësisht Marrëveshjen e Ohrit si vlerë. Në qarqet nacionaliste ajo vazhdoi të perceptohej si diçka e imponuar nga konflikti, si një lëshim që shteti ishte detyruar t’ua bënte shqiptarëve. Pas kësaj nostalgjie fshihet ndonjëherë edhe dëshira për t’u kthyer në vitet nëntëdhjetë, në një kohë kur hierarkitë etnike ishin shumë më të qarta, dhe secili, siç do të thoshin disa, “e dinte vendin e vet”. Në një kohë kur disa me gjithë mend besonin se ideja asimiluese e shtetit-komb vërtet mund të funskiononte në këtë vend të vogël, por me ego të mëdha.

Kjo rezistencë shpjegon edhe pse zbatimi i disa prej parimeve të Marrëveshjes së Ohrit vazhdon të duket sikur duhet negociuar nga e para sa herë që paraqitet një çështje konkrete. Debati i këtij viti për mundësinë që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe është shembull domethënës. Njëzet e pesë vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, studentët ende duhet të kërkojnë një të drejtë që ata nuk e shohin si privilegj, por si vazhdimësi të barazisë gjuhësore dhe institucionale të ndërtuar pas vitit 2001. Problemi nuk është vetëm një provim. Problemi është se sa herë që një e drejtë e lidhur me këtë arkitekturë trajtohet si përjashtim, koncesion apo favor, rikthehemi te debati që menduam se e kishim zgjidhur para një çerek shekulli.

Natyrisht, gjatë këtyre 25 viteve ka pasur edhe përpjekje nga ana tjetër për ta relativizuar Marrëveshjen e Ohrit, për ta paraqitur si të pamjaftueshme ose si një dokument që nuk u dha shqiptarëve gjithçka që kërkonin. Por vlera e marrëveshjeve historike nuk matet me faktin nëse njëra palë mori gjithçka që dëshironte. Ato maten me aftësinë e tyre për ta bërë të mundur jetën e përbashkët.

Dhe në këtë kuptim, bilanci i Marrëveshjes së Ohrit është i qartë. Maqedonia e Veriut e vitit 2026 është një shtet krejt tjetër nga Maqedonia e vitit 2001. Jo pa probleme, jo pa diskriminim, jo pa tensione dhe jo me një Marrëveshje të zbatuar gjithmonë në mënyrë ideale. Por është një vend ku bashkëjetesa mes qytetarëve të ndryshëm është bërë pjesë e rendit kushtetues dhe politik, dhe ku dallimet nuk duhet të zgjidhen më me forcë, por përmes institucioneve.

Një çerek shekulli më vonë, ndoshta ka ardhur koha që Marrëveshja e Ohrit të mos shihet më si fitorja e shqiptarëve dhe humbja e maqedonasve, as si maksimumi i njërës palë dhe minimumi i tjetrës. Ajo duhet parë për atë që historikisht rezultoi të jetë: kompromisi që ruajti shtetin, solli paqen dhe krijoi hapësirën kushtetuese për të jetuar së bashku me dallimet tona.

Nëse ky vend dëshiron vërtet të ecë përpara, pas 25 vjetësh është koha që Marrëveshjen e Ohrit ta shohë jo si barrë apo si një të keqe të imponuar, por si një vlerë themelore mbi të cilën është ndërtuar shteti i përbashkët. Një vlerë që duhet kultivuar nga të gjithë, një vlerë që bëhet pjesë e identitetit të shtetit dhe, mbi të gjitha, një vlerë që pranohet si bindje e përbashkët se ky vend mund të funksionojë vetëm nëse u përket të gjithëve njësoj.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.