Nëse në Eurovizionin e fiton një vend në luftë, nuk do të jetë nikoqir vitin e ardhshëm
Organizatorët e Festivalit Evropian të Këngës (Eurovizion) kanë përditësuar rregullat, duke vendosur se nëse fiton një shtet i përfshirë në konflikt të armatosur, ai nuk do të ketë të drejtë të jetë nikoqir i Eurovisionit vitin e ardhshëm, transmeton Portalb.mk.
Ndryshimi është miratuar nga organi drejtues i Eurovisionit, pas reagimeve të transmetuesve pjesëmarrës në Eurovizion 2026 në Vjenë.
Në rregullin e ri thuhet se shtetet fituese gjithashtu do të përjashtohen nga mundësia për të qenë nikoqire nëse ndonjë situatë e ndjeshme gjeopolitike ndikon në sigurinë, mbrojtjen ose stabilitetin e shtetit të tyre apo të rajonit të drejtpërdrejtë.
Ndryshimi interpretohet si reagim ndaj pjesëmarrjes së vazhdueshme të Izraelit në Eurovision, në kushtet e kritikave për veprimet e tij ushtarake në Gaza dhe Lindjen e Mesme.
Izraeli dy vitet e fundit e ka zënë vendin e dytë, ndërsa disa transmetues pjesëmarrës kishin shprehur privatisht shqetësime për sigurinë nëse Eurovisioni në të ardhmen do të zhvillohej në Jerusalem ose Tel Aviv, në rast se Izraeli do të fitonte.
Edhe pse Izraeli padyshim do të konsiderohet si objektivi kryesor i ndryshimit të rregullave, ai do të zbatohet edhe për Ukrainën, e cila ndodhet në një luftë të zgjatur që nga pushtimi rus në vitin 2022.
Nëse vlerësohet se shteti fitues nuk është në gjendje të jetë nikoqir, EBU-ja do të zgjedhë vend tjetër që do ta organizojë garën.
Vitin e ardhshëm Eurovizioni do të mbahet në Bullgari, pasi këtë vit kënga “Bangaranga” e këngëtares Dara e fitoi festivalin.
Ndryshe, pas pesë vitesh mungesë, Maqedonia e Veriut do të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të Eurovizionit 2027.