Mariçiq: Rajoni do të ecë përpara drejt BE-së dhe ne duhet të jemi në të njëjtin hap, nuk ka pengesa të pakapërcyeshme

Zëvendëskryeministri për çështjet evropiane, Bojan Mariçiq, ka marrë pjesë sot në Konferencën e dialogut ndërparlamentar për promovimin e mëtejshëm të integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor. Në fjalën e tij hapëse, zëvendëskryeministri Mariçiq tha se ky vit dhe viti i ardhshëm janë shumë të rëndësishëm për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe se rajoni do të ecë përpara, transmeton Portalb.mk.

“Ne duam që Maqedonia e Veriut të vazhdojë me të tjerët. Ne duhet të jemi pjesë e kësaj historie suksesi që do ta shkruajmë së bashku me BE-në dhe vendet e tjera të rajonit. Është në interesin tonë, është në interesin e qytetarëve që të ecim përpara dhe të bashkuar në idenë e një rajoni të begatë dhe të integruar në BE”, tha Mariçiq.

Mariçiq shtoi se nuk ka pengesa të pakapërcyeshme dhe shprehu besimin se Parlamenti dhe deputetët do të jenë në lartësinë e detyrës dhe do të zhvillojnë një dialog konstruktiv me të cilin, siç tha ai, “do t’i përmbushim shpejt dhe me efikasitet detyrimet tona dhe do t’i tejkalojmë sfidat që lidhen me çështjet e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit dhe shtetit të së drejtës”.

“Integrimi evropian nuk është opsion vetëm për vendet e rajonit, është alternativa më e mirë dhe më e arsyeshme dhe e vetmja alternativë për ne. Rigjallërimi dhe intensifikimi i procesit integrues nga BE-ja, me plan dhe detyra specifike për anëtarësim deri në vitin 2030, na jep një shans për të arritur atë që kemi pritur për gati dy dekada dhe ai shans nuk do të jetë shumë i gjatë”, tha Mariçiq.

Zëvendëskryeministri theksoi se përfshirja në rritje e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila ka një rol thelbësor në mbështetjen e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor përmes forcimit të aktiviteteve të bashkëpunimit ndërparlamentar që synojnë forcimin e qëndrueshmërisë demokratike, kapaciteteve institucionale, qëndrueshmëria e reformave është për t’u përshëndetur, si dhe konsultimi me shoqërinë civile dhe pjesëmarrja në procesin e vendimmarrjes politike.

“Bashkëpunimi i vazhdueshëm dhe intensiv midis Këshillit të Evropës dhe BE-së jo vetëm që do të përshpejtojë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, por gjithashtu do të përmirësojë qëndrueshmërinë e reformave, duke siguruar përfshirjen aktive të Parlamentit si bazë për përparimin demokratik, zbatimi i agjendës së reformave evropiane dhe ajo që është më e rëndësishme është dialogu ndërpartiak”, tha Mariçiq.

Ndryshe, dje, ambasadori holandez Dirk Jan Kopp drejtoi kritika të ashpra ndaj Maqedonisë së Veriut. Ai tha se nuk ka vullnet të vërtetë politik për ndryshim në vend dhe se për shkak të korrupsionit dhe nepotizmit të gjitha proceset janë bllokuar.

“Pas dekadash mbështetjeje të jashtëzakonshme, ku kanë shkuar paratë e taksapaguesve tanë? Pas gjithë këtyre viteve ka një strategji për gjithçka, ka dy plane veprimi për gjithçka, ndërgjegjësimi i të gjithëve tashmë është trefishuar dhe të gjithë tashmë janë trajnuar katër herë. Megjithatë, gjithçka ka ngecur për shkak të mungesës së zbatimit, korrupsionit dhe nepotizmit. Me fjalë të thjeshta, nuk ka vullnet të vërtetë politik për ndryshim jo vetëm në politikë, por edhe në komunitetet fetare që bllokojnë ndryshimet dhe bllokojnë Konventën e Stambollit. Dhe cili është mesazhi për ne? Mesazhi është se ne duam paratë tuaja, por nuk duam vlerat tuaja”, tha ambasadori Kopp.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.