Maqedonia e Veriut e hapi shtabin e krizës, numri i qytetarëve në zonat e luftës po rritet

Ministria për Punë të Jashtme dhe Tregti të Jashtme ka hapur shtabin e krizës në lidhje me zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme. Ky shtab do të punojë 24 orë, transmeton Portalb.mk.

“Detyra e tij është të monitorojë vazhdimisht situatën dhe të koordinojë e sistematizojë të gjitha procedurat që lidhen me qytetarët e Maqedonisë së Veriut që ndodhen në dhe përreth zonave të rrezikuara dhe që kanë nevojë për ndihmë ose asistencë”, raportoi Ministria.

U publikuan edhe numrat e ambasadave ku do të mund të kërkohet ndihmë: Ambasada në Doha (+974 50 173 111), Abu Dabi (+971 56 441 7532), Tel Aviv (+972 54 500 8566 & +972 54 967 0546), ndërsa SOS numri i kujdestarisë në Ministri është 075 273 732.

“Sipas informacioneve nga Ambasadat e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tel Aviv, Doha dhe Abu Dabi, si dhe sipas thirrjeve në linjën telefonike SOS në Ministrinë në Shkup, numri i qytetarëve tanë që raportojnë se ndodhen në zona të rrezikuara aktualisht është në rritje”, raportoi Ministria, duke vlerësuar se është në dispozicion të qytetarëve.

Me ftesë të presidentes së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska – Davkovka, sot do të thirren anëtarët e Këshillit të Sigurimit në Maqedoninë e Veriut. Kjo ftesë erdhi pas zhvillimeve të fundit në Lindje e Mesme. Mbledhja pritet të mbahet prej orës 18:00 në vilën presidenciale në Vodno.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se lideri suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei, është vrarë. Trump ka konfirmuar lajmin përmes një shkrimi të postuar në rrjetet sociale ku ka shkruar se, Khamenei, “një nga njerëzit më të këqij në histori”, është i vdekur.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë nisur të shtunën sulme në disa qytete të Iranit.