Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 7 prill në Uashington do të zhvillojnë dialog strategjik

Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ja më 7 prill në Uashington do të mbajnë një sesion të dialogut strategjik, njoftoi ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski. Ai tha se delegacionin nga RVM do ta udhëheqë personalisht, ndërsa pjesë e tij do të jenë edhe ministrat e punëve të brendshme, mbrojtjes, transformimit digjital dhe energjetikës, transmeton Portalb.mk

Njoftimi vjen në një periudhë të kontakteve të intensifikuara mes Shkupit dhe Uashingtonit. Në shkurt, Shtëpia e Bardhë njoftoi se SHBA-ja dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një kornizë marrëveshjeje për tregti reciproke, të drejtë dhe të balancuar, duke vlerësuar se kjo duhet të thellojë marrëdhëniet ekonomike dhe partneritetin strategjik mes dy vendeve.

Dialogu strategjik mes dy vendeve nuk është një mekanizëm i ri. Në arkivin e Departamentit të Shtetit thuhet se dialogu i parë formal strategjik mes SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut është mbajtur në Uashington më 2 qershor 2022.

Në mars të këtij viti, gjatë një vizite në Uashington, zëvendëskryeministri dhe ministri i transportit Aleksandar Nikolloski njoftoi se në takimet në Departamentin e Shtetit është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, si dhe për partneritetin e përbashkët strategjik. Sesioni i paralajmëruar më 7 prill vazhdon këtë ritëm diplomatik dhe politik mes dy vendeve.