Konflikti në Lindjen e Mesme mund të ketë një ndikim të caktuar te disa destinacione, por nuk priten ndërprerje më të mëdha në trafikun ajror
Konflikti në Lindjen e Mesme për momentin nuk pritet të shkaktojë ndërprerje më të mëdha në trafikun ajror në Maqedoni, megjithëse është i mundur një ndikim i kufizuar te disa destinacione, thonë nga TAV Maqedoni. Drejtori i përgjithshëm i operatorit të aeroporteve, Nexhat Kurt, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve MIA thekson se situata po ndiqet me kujdes në komunikim të vazhdueshëm me kompanitë ajrore. Sipas tij, stabiliteti i trafikut vjen si rezultat i faktit se pjesa më e madhe e fluturimeve nga Shkupi dhe Ohri janë të orientuara drejt Evropës Perëndimore dhe Veriore, transmeton Portalb.mk.
Një ndryshim për shkak të situatës së re është vendimi i kompanisë “Wizz Air” që nga 13 prilli të ndërpresë linjën Shkup – Larnaka. Për shkak të interesit të ulët për rezervime, kjo linjë në të ardhmen do të funksionojë vetëm si sezonale gjatë muajve të verës.
Pas luftës në Lindjen e Mesme, disa kompani ajrore u detyruan menjëherë të përshtaten me situatën, duke riorganizuar rrugët dhe oraret e fluturimeve, gjë që ndikoi në mënyrë indirekte edhe në udhëtimet turistike në nivel global.
Kurt thotë se nga këndvështrimi i kompanisë, si operator i dy aeroporteve në Maqedoni, përgjegjësia e tyre është operimi i aeroporteve dhe sigurimi i funksionimit të pandërprerë dhe të sigurt të shërbimeve për të gjitha kompanitë ajrore dhe për pasagjerët gjatë qëndrimit të tyre në aeroporte.
Është e mundur, thotë Kurt, një ndikim i kufizuar te disa destinacione, por për momentin nuk priten ndërprerje më të mëdha në trafikun ajror.
Me orarin veror të fluturimeve, që fillon sonte në mesnatë, do të ketë 10 destinacione të reja nga dy aeroportet vendase.
Nga Aeroporti Ndërkombëtar “Shkup” do të operojnë 16 kompani ajrore drejt 49 destinacioneve, ndërsa fluturime çarter do të ketë drejt gjashtë destinacioneve, si dhe 20 destinacione ku do të fluturojë kompania “Freebird Europe”.
Nga aeroporti i Ohrit “Shën Apostull Pali” do të fluturojnë shtatë kompani ajrore drejt 13 destinacioneve, ndërsa fluturime çarter do të ketë drejt tre destinacioneve nga dy kompani ajrore.
Në fillim të orarit të ri të fluturimeve, më 29 mars, nis linja ajrore nga Ohri për në Milano, ndërsa nga 30 marsi Shkupi lidhet për herë të parë me Napolin dhe rikthehet linja për në Budapest. Më pas, nga 17 maji, “Austrian Airlines” do të fillojë fluturimet nga Ohri për në Vjenë, ndërsa në qershor “Wizz Air” do të hapë edhe dy linja të reja nga Ohri për në Katowice dhe Wroclaw.
Nga 15 korriku nis linja nga Shkupi për në Palermo, ndërsa nga 18 korriku fillon linja Shkup – Alghero.
Në ditët e para të qershorit nisin edhe fluturimet çarter nga Shkupi për në Trabzon më 2 qershor dhe për në Samsun më 3 qershor nga kompania “AnadoluJet”.
Sipas njoftimeve, nesër pritet të fillojë zyrtarisht rikonstruksioni dhe modernizimi i aeroportit të Ohrit, i cili pritet të përfundojë deri në fund të majit të këtij viti.