Marrëveshja SHBA-Maqedonia e Veriut: Tarifa zero për ta, 15% për ne
Përderisa publiku vendas ende është duke e kërkuar “lajmin e madh” në formulimet deklarative për “qasje më të madhe në tregun amerikan”, shifrat kyçe nga korniza për një marrëveshje të re tregtare janë të qarta: Maqedonia e Veriut merr përsipër t’i heqë tarifat doganore për të gjitha produktet industriale dhe bujqësore amerikane të cilat eksportohen drejt vendit tonë, ndërsa SHBA në të njëjtën paketë njoftojnë se do e mbajnë tarifën reciproke prej 15% për produktet nga Maqedonia, me mundësinë që për disa kategori të caktuara të vendoset tarifë zero, raporton Racin.mk, transmeton Portalb.mk.
Korniza u publikua si një deklaratë e përbashkët e Shtëpisë së Bardhë me datë 12 shkurt të vitit 2026, ndërkohë që komunikimi lokal lidhur me këtë masë u bë në 13 shkurt, përmes transmetimit të “pikave kyçe” dhe një narrativi të suksesit të Qeverisë.
Në këtë pikë ne nuk po flasim për një marrëveshje përfundimtare, të nënshkruar dhe të ratifikuar, por për një kornizë që duhet më tej të finalizohet teknikisht, të përgatitet për nënshkrim dhe të kalojë nëpër procedurat e brendshme që pastaj të hyjë në fuqi. Kjo është e rëndësishme sepse implikimet më të mëdha politike dhe ekonomike nuk janë tek sloganet, por tek detajet: për cilat produkte do të ketë tarifa zero gjatë eksportit në Amerikë, për cilat këto tarifa do të mbeten nën 15%, çfarë “barrierash jo-tarifore” do të shfyqizohen dhe në çfarë mase dhe çfarë saktësisht do të nënkuptojë “harmonizimi” në fushat që prekin sigurinë, prokurimin dhe ekonominë digjitale.
Qëndrimi i Shtëpisë së Bardhë është formuluar si “tregti reciproke, e drejtë dhe e ekuilibruar”, por simetria praktike është e kufizuar në start. Maqedonia e Veriut po ndërmerr hapin më të fortë – hapjen e plotë të doganave për mallrat industriale dhe bujqësore amerikane – ndërsa pala amerikane po e mban regjimin e 15% (duke u thirrur në urdhra ekzekutivë) dhe vetëm po njofton se do të “identifikojë” një listë të produkteve që do të lirohen nga detyrimet doganore.
Nga pala maqedonase Timço Mucunski këmbëngul publikisht se “thelbi i suksesit” qëndron pikërisht në këtë identifikim të produkteve për të cilat do të vendosen tarifa reciproke deri në 0% dhe se korniza mundëson një “avantazh konkurrues” dhe “parashikueshmëri” për eksportuesit. Por pikërisht këtu lind pyetja që zakonisht anashkalohet në njoftimet e para: nëse nuk dihen produktet dhe vëllimet “qasja” mund të mbetet deklarative, ndërsa shpenzimet – shumë konkrete.

Shpenzimet kanë të paktën tre aspekte. I pari, ai fiskal: heqja e tarifave doganore për një spektër të tërë të mallrave amerikane do të thotë heqje dorë nga një pjesë e të ardhurave që shteti i mbledh nga importet, në këmbim të një premtimi për eksporte më të mëdha. I dyti, konkurrues: prodhuesit dhe fermerët vendas do të konkurrojnë me mallrat e importuara që do të hyjnë pa tarifa doganore – në një ekonomi ku marzhet janë të ngushta, ndërsa produktiviteti është një problem kronik. I treti, rregullator: korniza parasheh “adresimin” e barrierave jo-tarifore pas vërejtjeve amerikane dhe konsultimeve të veçanta në mënyrë që në tregun në Maqedoni të mos shfaqen pengesa për produktet bujqësore amerikane.
Perspektiva amerikane është edhe më e qartë, sepse është shkruar pa eufemizma lokale. Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së Shteteve të Bashkuara (Office of the United States Trade Representative ) në fact-sheet marrëveshjen kornizë e përshkruan si një hap që do t’u ofrojë amerikanëve “qasje më të parashikueshme dhe më efikase” në tregun në Maqedoni dhe madje thekson se tregtimi i mallrave dhe shërbimeve midis dy vendeve në vitin 2024 ka qenë 433 milionë dollarë. Në të njëjtën logjikë heqja e tarifave tona paraqitet si një mundësi “e paparë” për eksportuesit amerikanë.
Në pjesën që në mënyrë të drejtpërdrejt e intereson komunitetin e biznesit në vendin tonë Zyra e Përfaqësuesit të Tregtisë së Shteteve të Bashkuara shton një nuancë që duhet lexuar me kujdes: aty thuhet se Shtetet e Bashkuara do t’i heqin tarifat reciproke për “disa eksporte kualifikuese të caktuara” nga Maqedonia e Veriut – konkretisht për eksportet që “nuk mund të kultivohen, nxirren ose prodhohen natyrshëm” në sasi të mjaftueshme në Amerikë. Kjo implikon një mekanizëm selektiv, jo një lehtësim të përgjithshëm për eksportuesit nga Maqedonia. Dhe përsëri ajo qenësorja mbetet e pazbuluar: cilët artikuj më saktësisht do të të futen në atë përzgjedhjen më të ngushtë dhe nëse ato janë “të mëdha” apo margjinale për ekonominë e Maqedonisë.
Megjithatë, korniza nuk është vetëm matematikë tarifore. Ajo e shpërndan tregtinë në një paketë me gjeopolitikën dhe politikat rregullatore. Në deklaratën e përbashkët ka një pjesë për “sigurinë ekonomike dhe kombëtare”: qëndrueshmëria e zinxhirëve të furnizimit, “politikat jotregtare” të vendeve të treta, parandalimi i shmangies së tarifave doganore, koordinimi rreth kontrolleve të eksportit dhe investimet, e madje edhe një tezë se detyrimet ndërkombëtare për prokurimet publike duhet të sjellin përfitime vetëm për vendet që i kanë pranuar të njëjtat detyrime. Kjo është gjuha e përafrimit me agjendën e sigurisë dhe tregtare të SHBA-ve, e jo një gjuhë klasike e “tregtisë së lirë”.

Në energjetikë korniza në mënyrë të qartë e lidh projektin e interkonektorit të gazit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë me prokurimet e ardhshme të gazit natyror të lëngët të SHBA-ve: pas përfundimit të interkonektorit Maqedonia e Veriut do të fillojë të blejë LNG nga SHBA-të. Kjo mund të shihet si diversifikim dhe si një varësi e re – varësisht nga çmimet, kushtet e kontratës dhe realitetet infrastrukturore pas përfundimit të projektit.
Në ekonominë digjitale korniza është edhe më e drejtpërdrejtë: Maqedonia e Veriut merr përsipër obligimin që të mos vendosë një tarifë doganore për shërbimet digjitale dhe ta mbështesë ndalesën e përhershme të tarifave doganore për transmetimet elektronike brenda Organizatës Botërore të Tregtisë, si dhe të konfirmojë angazhimin e saj për rregullimin e shërbimeve përmes iniciativave brenda Organizatës Botërore të Tregtisë. Këto pika janë tipike për paketat moderne tregtare “digjitale”, por për një vend me hapësirë të kufizuar fiskale dhe tregje digjitale me rritje të shpejtë kjo është edhe një ngushtim vullnetar i mjeteve të ardhshme tatimore.
Në pjesën për standardet korniza njofton bisedime për pronësinë intelektuale (duke përfshirë këtu edhe shënimet gjeografike), mjedisin jetësor dhe të drejtat e punëtorëve. Fact-sheet-i amerikan shkon një hap më tej dhe përmend në mënyrë eksplicite mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të njohura ndërkombëtarisht dhe ndalesën për importin e mallrave të prodhuara me punë të detyrueshme. Në letër kjo gjë tingëllon si “standarde të larta”; në praktikë kjo nënkupton mekanizma të rinj monitorimi dhe kushtëzime të mundshme që do të varen nga mënyra se si do të shkruhet teksti përfundimtar.
Prandaj, mesazhi politik se ky “sukses i matshëm” është i parakohshëm nëse kjo mbetet vetëm një kornizë. Edhe nëse një pjesë e eksportit bëhet me tarifa zero, tarifa prej 15% është mjaftueshëm e lartë për ta ulur konkurrueshmërinë e shumë kategorive të produkteve në tregun amerikan – sidomos nëse konkurrentët nga vendet e tjera negociojnë përjashtime më të mira. Në fazën e ardhshme pyetja më e rëndësishme nuk do të jetë nëse marrëveshja quhet “e drejtë”, por çfarë saktësisht është në listën e përjashtimeve, cilat industri në vend marrin në të vërtetë lehtësime dhe sa kushton heqja dorë nga tarifat doganore dhe instrumentet doganore digjitale në këmbim të “qasjes” që ende nuk është saktësuar.
Ndryshe, Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara njoftoi se Shtetet e Bashkuara dhe Republika e Maqedonisë së Veriut kanë arritur Marrëveshje kornizë për tregti reciproke, të drejtë dhe të balancuar, që synon avancimin e marrëdhënieve ekonomike dypalëshe dhe zgjerimin e qasjes së eksportuesve në tregjet e të dy vendeve. Deklarata thotë se marrëveshja do të forcojë bashkëpunimin tregtar, do të mbështesë interesat e përbashkëta strategjike, do të nxisë rritjen ekonomike dhe do të thellojë partneritetin transatlantik midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Kujtojmë se vitin që lam pas, Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara shënuan 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Maqedonia e Veriut është vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që mbajti Dialog Strategjik me ShBA-në më 2 qershor të vitit 2022, në Uashington. Me këtë marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve u ngritën në një nivel më të lartë, duke forcuar partneritetin strategjik dhe aleancën e kahershme mes dy vendeve. Në kuadër të takimit të parë të Dialogut Strategjik, u përcaktuan disa fusha me rëndësi kryesisht dypalëshe, por edhe me interes rajonal dhe global. Si fusha kryesore për bashkëpunim u theksuan: iniciativat rajonale; mbrojtja dhe siguria; lidhjet midis njerëzve; bashkëpunimi dypalësh, qeverisja e mirë dhe sundimi i së drejtës; tregtia dhe investimet.