Prej sonte pas mesnate do të fillojë llogaritja verore e kohës, akrepat e orës lëvizin një orë përpara

Akrepat e orës në orën 2 pas mesnate do të zhvendosen një orë përpara dhe koha do të llogaritet si ora 3. Me këtë fillon llogaritja verore e kohës, e cila do të zgjasë deri më 25 tetor në orën 3 pas mesnate, kur akrepat do të kthehen një orë prapa, transmeton Portalb.mk.

Vendimi për vendosjen e orës verore është në përputhje me Ligjin për llogaritjen e kohës dhe në përputhje me direktivat evropiane.

Ndryshimi i orës tek ne, si dhe në shumicën e vendeve evropiane, ndodh dy herë në vit: fundjavën e fundit të marsit kur fillon ora verore dhe fundjavën e fundit të tetorit kur fillon ora dimërore.

Ora verore dhe dimërore është vendosur për herë të parë në vitin 1916 në vendet e Evropës Veriore, për shkak të kursimit të energjisë. Ora verore në ish-Jugosllavi, dhe rrjedhimisht edhe në Maqedoni, është vendosur më 27 mars 1983.

Përveç nesh, orën verore do ta zbatojnë edhe shumica e vendeve evropiane, përveç Rusisë, Turqisë, Bjellorusisë dhe Islandës.

Ndryshimi sezonal i kohës, përveç në Evropë, zbatohet edhe në shumicën e vendeve të Amerikës së Veriut dhe Qendrore, si dhe në disa shtete të tjera në botë. Koha nuk ndryshohet në Japoni, Kinë, Korenë e Jugut, as në vendet e kontinentit afrikan.

Parlamenti Evropian më 4 mars 2019 votoi për heqjen e ndryshimit sezonal të kohës nga viti 2021. Megjithatë, Këshilli i BE-së ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar, prandaj nuk është plotësisht e sigurt se kur do të jetë ndryshimi i fundit i orës.