Qeveria ka propozuar Nenad Saveskin për kryeprokuror, pritet votimi në Kuvend

Gjyqtari i Gjykatës Penale Nenad Saveski është propozimi i Qeverisë për prokuror publik të shtetit, i cili, nëse i jepet dritë jeshile nga Parlamenti, do të duhet të zëvendësojë prokurorin, Ljupço Kocevski. Në seancën e sotme, Qeveria zgjodhi Saveskin nga katër kandidatë, për të cilët Këshilli i Prokurorëve Publikë paraprakisht dha mendim pozitiv, së bashku me Anita Topolova-Isajlovska, Lençe Ristoska dhe Lidija Raiçeviq, transmeton Portalb.mk.

Nenad Saveski është i diplomuar në drejtësi, i cili e filloi karrierën e tij si prokuror në vitin 2009 dhe u zgjodh gjyqtar në vitin 2016. Deri më tani, ka gjykuar raste të krimit të organizuar dhe korrupsionit në departamentin e specializuar të Gjykatës Penale në Shkup.

Procedura e përzgjedhjes filloi me shpalljen e bërë nga Parlamenti më 12 janar, me afat prej 15 ditësh për aplikimin e kandidatëve, të publikuar në “Gazetën Zyrtare”. Kandidatët duhej të kishin të paktën 10 vjet përvojë të vazhdueshme si prokurorë publikë ose gjyqtarë në fushën e së drejtës penale.

Kujtojmë se, Këshilli i Prokurorëve, në mbledhjen e 17 shkurtit 2026 shqyrtoi kandidaturat e pesë kandidatëve për pozicionin më të lartë të prokurorit publik – prokuror publik shtetëror. Katër kandidatë për prokuror publik republikan, prokurorja në detyrë Anita Topolova Isajlovska, prokurorët Lidija Raiçeviq dhe Lençe Ristoska, dhe gjyqtari Nenad Saveski, morën mendim pozitiv nga Këshilli i Prokurorëve Publikë. Ndërkaq, për kandidatin Vlladimir Pançevski, dikur i dënuar për keqpërdorim të sistemit AKMIS,  Këshilli i Prokurorëve konkludoi se nuk i plotëson kushtet ligjore, sepse nuk ka përvojë pune të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh, që është parakusht për t’u vlerësuar si kandidat për pozicionin e Ljupço Kocevskit të shkarkuar. Me këtë, këshilli ia kaloi topin Qeverisë për prokuror të ri publik republikan.

Mirëpo, pavarësisht se Lençe Ristoska është në garë, kryeministri Hristijan Mickoski TV Kanal 5 tha se prokurorja Lençe Ristoska nuk është kandidate që Qeveria po e shqyrton për pozicionin e prokurorit publik të shtetit. Ai shtoi se pozicioni përfundimtar do të shpallet pasi Qeveria të shqyrtojë dokumentet zyrtare. Pas deklaratës së kryeministrit, Platforma e organizatave civile për luftën kundër korrupsionit dhe Ristoska dolën me reagime.

Zgjedhja e kryeprokurorit të ri vjen pasi, më 29 korrik, Parlamenti votoi për interpelancë në lidhje me punën e Ljupço Kocevskit, dhe ai deklaroi se nuk do të jepte dorëheqjen nga posti i tij, por do t’i përkushtohej edhe më shumë punës së tij. Pas tragjedisë në Koçani, kryeministri Hristijan Mickoski kishte njoftuar për pezullimin e procedurës për shkarkimin e Kocevskit, duke pasur parasysh hetimin e gjerë që po zhvillohet në lidhje me rastin.

Por, më 16 dhjetor 2025, Kuvendi i Maqedonisë vendosi ndërprerjen e funksionit të Prokurorit Publik të Maqedonisë për Ljupço Kocevskin. Ai paraqiti dorëheqje të parevokueshme në ditën kur Kuvendi do të shqyrtonte propozimin e Qeverisë për shkarkimin e tij. Deri në zgjedhjen e prokurorit të ri shtetëror, pozicionin e mban prokurorja Anita Topolova Isajlovska, e cila u zgjodh më 22 dhjetor nga Këshilli i Prokurorëve Publikë.