Mahmut Ferati për Portalb: Publiku më ka ngritur dhe më ka sjellë deri këtu, sonte festoj vitin jubilar në Tetovë
Sonte në Tetovë mbahet koncerti jubilar i këngëtarit të mirënjohur Mahmut Ferati, me rastin e 50-vjetorit të karrierës së tij artistike. Kjo mbrëmje e veçantë përmbledh gjysmë shekulli përkushtim, punë dhe dashuri për këngën popullore shqiptare. Ky koncert vjen si një rikapitulim i rrugëtimit të tij muzikor, me këngë që kanë shoqëruar breza të tërë dhe që kanë prekur tema të mallit, gurbetit, dashurisë, atdhedashurisë dhe jetës sonë popullore. Për publikun, Mahmut Ferati mbetet një emër i dashur, një zë që ka ditur të ruajë shpirtin e këngës shqipe dhe ta përcjellë atë me ndjenjë e sinqeritet. Në prag të koncertit jubilar të 50-vjetorit, në intervistë për Portalb.mk Ferati flet për emocionet e kësaj mbrëmjeje, për rrugëtimin e tij të gjatë artistik, bashkëpunimet e paharrueshme, këngët që kanë lënë gjurmë, si dhe mesazhin që ai dëshiron t’ua përcjellë brezave të rinj të këngëtarëve.
Në këtë koncert atij do t’i bashkëngjitet dhe Shyhrete Behluli. Lexoni intervistën me të: Shyhrete Behluli për Portalb: Një jetë në skenë, një zemër te publiku, më 15 maj pjesë e koncertit jubilar me Mahmut Feratin
Portalb.mk: Pas një rrugëtimi kaq të gjatë e të pasur artistik, çfarë ndjenje ju jep sot ngjitja në skenë? Nga këto vite karrierë, cili moment mbetet për ju më i paharrueshmi?
Mahmut Ferati: Ngjitja në skenë çdo herë më duket sikur është hera e parë. Kështu e ndiej veten, sepse gjithmonë kam një përgjegjësi të madhe. Nuk është frikë, por përgjegjësi ndaj atij publiku të dashur, i cili na ka ngritur, na ka mbështetur dhe na ka sjellë deri këtu.
Për këngëtarët ka shumë momente të veçanta, por një moment të vetëm si më të paharrueshmin nuk do të mund ta veçoja. Janë shumë të tilla. Kemi kënduar në kohë të vështira, në kohë robërie, kur nuk kishim liri. Kemi kënduar edhe në kohë varfërie. Pastaj, me kalimin e viteve, jeta u përmirësua dhe, shyqyr Zotit, sot kemi mundësi të këndojmë edhe në kohën e lirisë.
Megjithatë, më e vështira ka qenë atëherë kur kam dashur të këndoj një këngë, por pushteti i asaj kohe nuk na ka lejuar ta shprehim dëshirën tonë. Ka pasur momente shumë prekëse, por ne kemi qenë këmbëngulës dhe e kemi çuar deri në fund. Jo për të treguar patriotizëm me fjalë, por sepse brenda vetes e kemi pasur një ndjenjë të fortë se ajo këngë duhej kënduar dhe nuk e kam lënë pa e kënduar. Këto janë disa nga momentet që mbeten në kujtesë.
Portalb.mk: Pse vendosët që koncerti jubilar të mbajë titullin “Jeho kënga ime”? Çfarë simbolizon ky titull për ju?
Mahmut Ferati: Kënga “Jeho kënga ime” është një këngë malli dhe dhimbjeje, e frymëzuar nga gurbeti dhe mërgimi. Ajo lindi si shprehje e ndjenjave të atyre njerëzve që ishin larg vendlindjes, larg familjes dhe të dashurve të tyre.
Në thelb, kjo këngë u krijua për t’u dhënë shpresë mërgimtarëve, por edhe nënave tona, të cilat prisnin me mall fëmijët e tyre. Ishte një këngë që mbante gjallë besimin se, një ditë, pavarësisht largësisë dhe kohës së vështirë të robërisë, ata do të takoheshin përsëri.
Kjo ka qenë baza dhe ndjenja kryesore e kësaj kënge: malli, dhimbja, shpresa dhe dashuria për familjen e vendlindjen.

Portalb.mk: Ky koncert jubilar për ju është më shumë festë, falënderim apo një rikthim emocional te publiku që ju ka ndjekur për dekada?
Mahmut Ferati: Koncerti jubilar është një koncert që përmbledh gjithë karrierën time artistike, të gjitha arritjet që i kam bërë përmes këngës dhe repertorit tim. Përmes këtij koncerti dua të bëj një rikapitulim të rrugëtimit tim muzikor, duke përfshirë këngë nga epoka dhe periudha të ndryshme.
Në fillim janë këngët që i kam nisur me këngëtarin Milaim Mezini, pastaj bashkëpunimet me kolegë të tjerë si Shaqir Cërvadiku, Shyhrete Behluli e të tjerë. Më pas vijnë edhe këngët e mia të veçanta, që kanë qenë pjesë e kohës dhe janë mirëpritur nga publiku.
Në repertorin tim ka këngë lirike, këngë patriotike, këngë për gurbetin, balada, këngë rinore, ritmike, këngë dasmash e shumë të tjera. Të gjitha këto përbëjnë një etapë të rëndësishme të koncertit tim jubilar dhe të rrugëtimit tim si këngëtar.
Pikërisht për këtë arsye vendosa ta mbaj këtë koncert jubilar. Vitet kalojnë dhe mund të vijë një kohë kur ndoshta nuk do të kem më mundësi të këndoj si më parë. Prandaj dua që ky koncert të mbetet si një historik i Mahmut Feratit, si një dëshmi e rrugës sime artistike dhe e këngëve që më kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës.
Ky koncert mbahet në bashkëpunim me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, një ansambël shumë i merituar dhe shumë i avancuar në punën e tij artistike. Edhe kjo më ka dhënë një shtytje të madhe që koncertin jubilar ta realizoj pikërisht me Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Portalb.mk: A keni përgatitur ndonjë këngë apo interpretim të veçantë që do ta prezantoni posaçërisht në këtë mbrëmje jubilare? dhe Çfarë dëshironi të mbetet në kujtesën e publikut pas këtij koncerti?
Mahmut Ferati: Në këtë koncert, të gjitha këngët që i kam përzgjedhur janë të veçanta. Secila prej tyre përfaqëson diçka, secila rrëfen një histori dhe secila ka vendin e vet në karrierën time. Edhe të gjithë mysafirët që i kam ftuar janë pjesë e emblemës së Mahmut Feratit. Mendoj se ne kemi mbetur emblematikë, sepse kemi qenë dhe mbetemi pranë emblemës së popullit.
Fillimi im ka qenë me këngëtarin Milaim Zeka, dhe ato këngë janë jubilare për mua. Janë këngë që nuk bëhen më. Edhe sot kemi dëshirë të krijojmë diçka të tillë, por ai moment nuk përsëritet më.
Më pas vijnë këngët me mikun tim, Shaqir Cërvadikun, këngë në formë dialogu, të cilat edhe sot do të donim t’i realizonim në atë frymë. Mirëpo ato që i kemi bërë atëherë nuk përsëriten më; ato kanë mbetur vërtet jubilare për publikun.
Po ashtu, bashkëpunimi im me këngëtaren e madhe Shyhrete Behluli ka sjellë duete që nuk mund të përsëriten. Ne mund të krijojmë edhe diçka tjetër, por ato këngë që morën hov, që u mirëpritën nga publiku dhe lanë gjurmë, kanë vulën e tyre të veçantë. Ato mbeten të paarritshme në atë formë, edhe pse ne vazhdojmë të punojmë dhe të krijojmë përsëri.
Mandej është edhe bashkëpunimi me miqtë e mirë të grupit Elita 5, të cilët kanë një meritë të madhe. Elita 5 është legjendë e rokut muzikor shqiptar dhe ne, si tetovarë, krenohemi shumë me ta.

Portalb.mk: Kur ktheni kokën pas, çfarë vlerësoni më shumë në karrierën tuaj: suksesin, dashurinë e publikut apo qëndrueshmërinë në këngën shqipe?
Mahmut Ferati: Që publiku të të dojë, duhet t’i afrohesh atij me sinqeritet dhe me këngë që prekin zemrën. Unë gjithmonë jam munduar të krijoj këngë që më afrojnë më shumë me publikun, që ai të më pranojë dhe ta ndiejë veten pjesë të asaj që unë këndoj.
Kënaqësia ime më e madhe është kur e shoh se kam krijuar një vepër që është mirëpritur. Kur publiku më dhuron ato duartrokitje të mëdha, ndonjëherë edhe më shumë se sa i pres vetë, aty e gjej stimulimin dhe forcën për të vazhduar më tej.
Pikërisht ai reagim i publikut më jep motiv që të punoj edhe më shumë dhe të sjell projekte të reja.
Portalb.mk: Sipas jush, a po e ruan muzika popullore shqiptare shpirtin e saj burimor, apo po largohet nga rrënjët?
Mahmut Ferati: Ai që e do këtë muzikë, nuk e lë të humbasë. Ata që kanë dashur ta ruajnë, e kanë mbajtur që nga atëherë e deri më sot, dhe vazhdojnë ta mbajnë me përkushtim. Kjo muzikë jeton përmes atyre që e këndojnë me zemër, që e respektojnë traditën dhe që nuk i harrojnë rrënjët e saj. Sigurisht, kohët ndryshojnë dhe muzika mund të marrë forma të reja, por thelbi i saj mbetet aty ku ka dashuri, sinqeritet dhe respekt për burimin. Ai që e do, e ruan; ai që e ndien, nuk e lë.
Portalb.mk: Çfarë mendoni se i mungon më së shumti muzikës popullore shqiptare sot?
Mahmut Ferati: Muzikës popullore shqiptare nuk mendoj se i mungon diçka thelbësore. Ajo i ka të gjitha brenda vetes: shpirtin, ndjenjën, historinë, dashurinë dhe forcën. Çështja është vetëm a dëshiron njeriu të punojë dhe ta mbajë gjallë atë muzikë.
Sot ke mundësi të këndosh çfarë të duash: këngë patriotike, këngë dashurie, këngë lirike, këngë për jetën, për mallin apo për gëzimin. Askush nuk të ndalon. E rëndësishme është që ta ruash bukurinë e këngës popullore shqiptare, atë muzikë të dashur që buron nga shpirti i popullit.
Aty i kemi themelet tona, aty është burimi dhe aty është gjithçka. Nga muzika popullore fillon shumëçka: muzika artistike, muzika e lehtë, madje edhe muzika simfonike. Baza e të gjithave është te kënga popullore, sepse ajo është rrënja jonë muzikore.
Portalb.mk: Çfarë mesazhi dëshironi t’u lini brezave të rinj të këngëtarëve që e shohin karrierën tuaj si shembull suksesi, përkushtimi dhe qëndrueshmërie?
Mahmut Ferati: Mesazhi im për brezat e rinj të këngëtarëve është që çdo punë ta marrin me seriozitet, me përkushtim dhe me dashuri. Të mos e nisin një rrugë me dyshime, duke menduar vetëm “ta provoj apo të mos e provoj”, por nëse e zgjedhin muzikën, ta bëjnë me shpirt e me zemër.
Kur punon me seriozitet, me ndershmëri dhe me dashuri për këngën, nuk ke si të mos ia arrish qëllimit. Suksesi vjen me punë, me durim dhe me qëndrueshmëri.
Meqenëse sonte kam koncertin jubilar, dua t’i ftoj nga zemra të gjithë dashamirët e këngës sime, të gjithë ata që e duan këngën e bukur shqipe dhe këngën popullore, të vijnë e ta shijojnë së bashku ëmbëlsinë e muzikës sonë popullore.
