Shyhrete Behluli për Portalb: Një jetë në skenë, një zemër te publiku, më 15 maj pjesë e koncertit jubilar me Mahmut Feratin

Më 15 maj, Tetova do të bëhet qendra e muzikës shqiptare në koncertin jubilar të këngëtarit të mirënjohur Mahmut Ferati, të titulluar “Jeho kënga ime”. Kjo mbrëmje do të sjellë në skenë emra që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës. Mes mysafirëve që do ta bëjnë edhe më të veçantë këtë natë, është edhe ikona Shyhrete Behluli. Me një karrierë të gjatë dhe këngë që janë shndërruar në himne për publikun, ajo mbetet një nga figurat më të dashura të skenës përmes lidhjes së saj të rrallë me dashamirët e muzikës. Në një intervistë ekskluzive për Portalb.mk, Behluli flet mbi emocionet e pjesëmarrjes në koncertin e Mahmut Feratit, kujtimet nga bashkëpunimi i tyre shumëvjeçar, muzikën popullore shqiptare dhe projektet e reja që pritet t’i prezantojë së shpejti.

Portalb.mk: Ju do të jeni pjesë e koncertit jubilar “Jeho kënga ime!”. Çfarë emocioni ju fal pjesëmarrja në këtë mbrëmje kushtuar 50-vjetorit të karrierës së këngëtarit Mahmut Ferati? Çfarë dëshironi t’i përcillni publikut në këtë përvjetor?

Shyhrete Behluli: Po, është e vërtetë që Mahmuti do ta mbajë koncertin e tij jubilar dhe unë ndihem shumë e nderuar që do të jem pjesë e kësaj mbrëmjeje.

Me Mahmutin na lidh një bashkëpunim shumëvjeçar. Kemi realizuar shumë duete dhe kemi ndarë shumë momente të bukura artistike. Besoj se edhe atë natë do t’i sjellim publikut të njëjtat emocione që i kemi përcjellë ndër vite.

Sigurisht, ky koncert ka emocion të veçantë. Nuk është e lehtë të përmbledhësh një karrierë të tërë në një koncert të vetëm. Unë e kuptoj shumë mirë Mahmutin, sepse përveç emocioneve, ka edhe stres: duhet zgjedhur një repertor i veçantë, këngë që kanë peshë dhe që ia vlen të jenë pjesë e asaj nate. Është shumë e vështirë të selektosh këngët për një koncert që zgjat rreth një orë e gjysmë, maksimumi dy orë.

Por jam e bindur se do të jetë një mbrëmje shumë e bukur, me shumë kujtime, emocion dhe këngë që publiku i do.

Portalb.mk: Çfarë e bën të veçantë për ju bashkëpunimin artistik me Mahmut Feratin? A keni ndonjë kujtim specifik nga skena apo nga bashkëpunimet ndër vite?

Shyhrete Behluli: Po, kemi shumë kujtime të mira, sepse bashkëpunimi ynë me Mahmutin ka qenë i gjatë dhe shumë i suksesshëm.

Mendoj se duetet tona janë pritur mirë nga publiku dhe pikërisht dëshira e publikut ka bërë që ne të kemi më shumë bashkëpunime ndër vite. Kemi realizuar shumë këngë së bashku dhe secila prej tyre mban një kujtim të veçantë.

Si çdo koleg që punon gjatë në skenë, edhe ne kemi ndarë momente të bukura nga puna, nga koncertet dhe nga paraqitjet tona. Ato kujtime i ruaj me shumë respekt dhe kënaqësi, sepse bashkëpunimi ynë ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot.

Fotografi nga dy artistët Shyhrete Behluli dhe Mahmut Ferati. Foto: Mahmut Ferati (Facebook)
Fotografi nga dy artistët Shyhrete Behluli dhe Mahmut Ferati. Foto: Mahmut Ferati (Facebook)

Portalb.mk: Cili është sekreti që këngët tuaja nuk plaken, por vazhdojnë të këndohen nga çdo gjeneratë?

Shyhrete Behluli: Jam munduar që gjithmonë ta sjell të vërtetën përmes këngës. Këngët e mia kanë pasur mesazh, kanë pasur shpirt dhe ndoshta pikërisht kjo ka bërë që ato të mos harrohen lehtë.

Besoj se një këngë jeton gjatë kur publiku e gjen veten në të. Ndoshta kjo është arsyeja pse shumë nga këngët e mia janë më jetëgjatë.

Portalb.mk: Çfarë force duhet të ketë një artiste që të mbetet në zemrën e publikut për dekada të tëra?

Shyhrete Behluli: Duhet të ketë mbi të gjitha dëshirë, pasion dhe vullnet. Nëse një punë punohet me pasion, sigurisht që edhe suksesi ka me qenë i pashmangshëm. Unë mendoj se ai është çelësi i suksesit.

Portalb.mk: Në një kohë kur muzika ndryshon shpejt, si arrini të mbeteni moderne pa e humbur shpirtin popullor?

Shyhrete Behluli: Aty mundohem me i prek të gjitha: edhe me qenë me të rejën, edhe me e ruajt të vjetrën. Unë e ceka edhe më herët se çdo punë që punohet me pasion, e ka rezultatin e vet.

Pasioni është pasion: kur e do një punë, pastaj çdo mund, çdo dëshirë dhe çdo vullnet e jep rezultatin e vet. Mendoj se te unë kjo është kryesorja, sepse me shumë dëshirë i punoj këngët e mia. Besoj se ndoshta pikërisht kjo është arsyeja pse publiku më mban afër dhe vazhdon t’i dojë këngët e mia.

Portalb.mk: Pas 50 vitesh në skenë, a ka ende një ëndërr apo një emocion që nuk e ka përjetuar ende para publikut shqiptar?

Shyhrete Behluli: 50-vjetori i koncertit tim ka qenë thuajse një kurorëzim i suksesit dhe i punës që kam bërë për kaq shumë vite.

Sigurisht se nuk do të ndalem së punuari për këngë të mira, për tekste të mira dhe për gjithçka që duhet t’i ofrohet publikut. Publiku është mësuar të marrë këngë të mira nga unë dhe, deri sa të mundem, do të mundohem t’ua ofroj.

Nuk dihet sa do të më duan dhe sa do të më shtyjnë të punoj ende, sepse publiku është ai që të jep shtysë për të punuar më shumë. Por njëkohësisht është edhe e vështirë të qëndrosh pas së mirës. Nëse ke bërë diçka të mirë, duhet të qëndrosh në atë nivel, sepse nuk është e lehtë të vazhdosh gjithmonë me të njëjtin sukses.

Megjithatë, nuk do të thotë se çdoherë ia qëllon këngëve, ose se çdo këngë pëlqehet njësoj. Disa këngë pëlqehen më pak, disa më shumë. Kështu është muzika. Por me rëndësi është të mos ndalesh kurrë dhe të vazhdosh të punosh për t’i ofruar publikut këngë të mira.

Foto nga arkivi personal i Shyhrete Behlulit. Foto: Shyhrete Behluli (Facebook)
Foto nga arkivi personal i Shyhrete Behlulit. Foto: Shyhrete Behluli (Facebook)

Portalb.mk: Kur ngjiten në të njëjtën skenë emra që kanë shkruar historinë e muzikës shqiptare, si Mahmut Ferati dhe Shyhrete Behluli, a mendoni se publiku po përjeton një epokë që vështirë se përsëritet më?

Shyhrete Behluli: Po, shiko, secili artist e ka vendin e vet. Pavarësisht se vijnë gjenerata të reja, edhe ato e kanë vendin e vet, por është e pamundur të zëvendësohet një artist. Çdo gjeneratë e ka kohën e vet dhe çdo artist e ka kohën e vet. Edhe kur një artist nuk është më aq aktiv, vepra e tij mbetet dhe vendi i tij është i veçantë. Arti është i lindur. Secili ka shijen e vet, atë që e përzgjedh dhe atë që e dëgjon. Prandaj mendoj se secili e ka vendin e vet: edhe brezat më të vjetër, edhe gjenerata e re e këngëtarëve. Nuk duhet gjithmonë të bëjmë krahasime se a do të ketë këngëtarë më të mirë apo a do të jenë si ata të mëparshmit. Secili artist është në vendin e vet dhe ka vlerën e vet.

Portalb.mk: Pas gjithë këtyre dekadave në skenë, a e ndjeni ndonjëherë se Shyhrete Behluli është kthyer më shumë në emocion të publikut sesa vetëm në një emër të muzikës shqiptare?

Shyhrete Behluli: Besoj që po, edhe mua po më duket që po. Me kalimin e viteve, emri im nuk lidhet vetëm me këngën, por edhe me shumë kujtime, emocione dhe momente të bukura që publiku i ka përjetuar përmes muzikës sime.

 Portalb.mk: A mendoni se muzika popullore shqiptare sot ka nevojë më shumë për zëra të mirë apo për artistë që e jetojnë dhe e mbrojnë me shpirt traditën?

Shyhrete Behluli: Ndoshta muzika popullore shqiptare ka nevojë për të dyjat: edhe për artistë të mirë, edhe për zëra të mirë, por edhe për njerëz që e ruajnë dhe e mbrojnë me shpirt traditën.

Është pak e vështirë, sepse edhe koha ndonjëherë e bën të veten dhe të lëkund nga ajo që je. Mirëpo, mendoj se është shumë me rëndësi me qëndru aty ku je, me e ditë çka përfaqëson dhe me mos e humb rrënjën.

Tash varet sa dhe si ia del secili, por ky është realiteti.

Portalb.mk: Pas gjithë këtij rrugëtimi të jashtëzakonshëm artistik, a po punon Shyhrete Behluli në ndonjë projekt të ri që mund ta surprizojë publikun në periudhën që vjen?

Shyhrete Behluli: Po, kemi projekte të reja. Kam një bashkëpunim me Engjin, ndërsa disa projekte të tjera i kam vetëm.

Jemi duke punuar në atë drejtim dhe projektet tashmë janë afër përfundimit. Besoj se shumë shpejt do t’i sjellim para publikut.

Portalb.mk: Cili është mesazhi juaj për lexuesit tanë dhe dashamirët e këngës suaj?

Shyhrete Behluli: Mesazhi im është: me më dashtë si gjithmonë. Unë i dua shumë, sepse publiku është ai që më mban në skenë, prandaj edhe e thashë këtë.

Do të mundohem që gjithmonë të jem afër tyre, me këngë të mira, me dashuri dhe me respekt për gjithë mbështetjen që ma kanë dhënë ndër vite.

Foto nga arkivi personal i Shyhrete Behlulit. Foto: Shyhrete Behluli (Facebook)
Foto nga arkivi personal i Shyhrete Behlulit. Foto: Shyhrete Behluli (Facebook)