Madhështia e veçantisë

Madhështia e të qenit i veçantë qëndron në aftësinë për ta jetuar jetën siç dëshiron, pa i bërë keq askujt dhe pa iu nënshtruar paragjykimeve apo kodeve provinciale.

Madhështia e veçantisë është e padëshiruar ose e papëlqyeshme në ambiente ku njerëzit i nënshtrohen diktaturës dhe terrorit të uniformitetit, të banalitetit dhe të klisheve.

Në kësi ambientesh, duhet të mendosh dhe të veprosh sipas skemave e rregullave të paracaktuara dhe t’i nënshtrohesh pushtetit mizor të rutinës.

Në vendin që nuk e duron madhështinë e veçantisë flitet vetëm për njerëz, shpesh edhe për ngjarje, por rrallë për ide.

Një vend i tillë bëhet i mërzitshëm, veçanërisht për të rinjtë, vrulli shpirtëror i të cilëve joshet nga aventura, që i jep kuptim jetës së tyre.

Ky vend u ofron të rinjve gjëra të zakonshme e të bezdisshme. Prandaj, të lodhur nga banalitetet e traditës, të rinjtë duan të eksplorojnë një botë ku mund të jetojnë siç duan dhe jo sipas dëshirës së të tjerëve.

Të rinjtë nuk ikin nga një vend vetëm për shkaqe ekonomike. Ata ikin nga monotonia dhe rregullat e ngurta. Duan të jenë vetvetja dhe jo jetën t’ua projektojnë të tjerët.

Vendi që të rinjve nuk u ofron asgjë, shënohet vetëm në hartat gjeografike, por jo edhe në hartat shpirtërore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.