Diaspora shqiptare e painteresuar dhe e painformuar, shkolla verore për fëmijët vetëm në gjuhën maqedonase

Fëmijët shqiptarë nga diaspora nuk kanë shprehur interes për Shkollën Verore në Republikën e Maqedonisë së Veriut që organizohet nga Agjencia e Mërgatës. Prandaj, siç kanë njoftuar nga Agjencia, Shkolla Verore do të mbahet vetëm në gjuhën maqedonase dhe me mësimdhënës maqedonas. Megjithatë jo të gjithë organizatat e diasporës janë informuar për një ngjarje të tillë, edhe pse e njëjta ka qenë e lajmëruar në ueb faqen zyrtare të institucionit, shkruan Portalb.mk. 

Informacionin e kanë konfirmuar nga zyra për Informim e Agjencisë, të cilët në përgjigjen e tyre për Portalb.mk thanë se, për shkak të mosregjistrimit dhe mungesës së interesit nga ana e fëmijëve të përkatësisë etnike shqiptare në thirrjen e publikuar, shkolla do të jetë vetëm në gjuhën maqedonase. 

“Shkolla Verore në gjuhën maqedonase dhe shqipe mbahet për 17 vjet me radhë. Thirrja është publikuar disa muaj më parë në faqen e internetit të Agjencisë për Emigracionin, në faqen e Facebook-ut të Agjencisë për Emigracionin. Thirrja përcakton kushtet, të cilat janë që fëmijët duhet të jenë midis 12 dhe 16 vjeç, por ndonjëherë bëhet një përjashtim për nxënësit më të rritur ose ata nën 12 vjeç. 45 nxënës marrin pjesë në shkollë pa asnjë përzgjedhje në aspektin e përkatësisë etnike ose fetare. Është menduar për fëmijët e diasporës dhe mbahet çdo vit në Ohër për shkak të Liqenit të Ohrit dhe pamjeve kulturore dhe historike”, thanë nga Agjencia e Mërgatës.

Nga aty, thonë se plani strategjik i Agjencisë për Mërgatën përcakton saktësisht se projekti është Shkollë Verore për gjuhët shqipe dhe maqedonase. 

“Nxënësit, fëmijë të emigrantëve nga të gjitha komunitetet etnike, janë të mirëpritur në të gjitha aktivitetet e projektit tonë”, theksuan nga Agjencia. 

Që interesi i mërgatës shqiptare ka munguar e konfirmuan për Portalb.mk edhe nga shoqata kulturore “Kërçova” në Zvicër. 

“Është e vërtet që Agjencia e Mërgatës na ka kontaktuar shumë herë që nga viti 2022. Mirëpo, interesi nga ana e mërgimtarëve ka munguar tërësisht”, tha nënkryetari i shoqatës “Kërçova” në Zvicër.

Por, kryetar i Shoqatës së Dollogozhdarëve në Zvicër, Përparim Kica tha se shoqata me të cilën ai kryeson nuk kanë qenë të informuar për këtë iniciativë të Agjencisë për Mërgatë.

“Një aktivitet i tillë është shumë i nevojshëm, por gjithsesi në gjuhën shqipe, pasi pjesa dërrmuese e diasporës nga Maqedonia e Veriut është shqiptare. Nëse bazohemi në numrat realë, komuniteti shqiptar jashtë vendit është dukshëm më i madh se ai maqedonas, prandaj edhe nevojat për programe të tilla janë më të mëdha. Fatkeqësisht, si shumë herë më parë, komuniteti shqiptar anashkalohet në mënyrë sistematike nga institucionet. Pikërisht për këtë arsye, ne si shoqatë mundohemi të organizojmë vetë aktivitete për fëmijët tanë,  duke përfshirë leksione për shkrim e lexim të gjuhës shqipe, recitime vjershash, valle popullore dhe aktivitete kulturore,  për të ruajtur gjuhën dhe identitetin tonë”, tha Kica për Portalb.mk.

Ne mbetemi të hapur, tha tutje Kica, për bashkëpunim me çdo institucion shtetëror që ka vullnet real për të përfshirë diasporën shqiptare në aktivitete të tilla.

“Presim që në të ardhmen të ketë komunikim më të mirë, përfaqësim të barabartë dhe respektim të të drejtave kulturore e gjuhësore të të gjithë qytetarëve”, tha Kica.

Ndryshe, sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë për diasporën e Maqedonisë së Veriut, të përkatësisë etnike maqedonase janë 24.45%, ndërsa shqiptarë janë 66.36%. 

Për raportin e institucioneve kompetente shtetërore me diasporën, shtetasit e Maqedonisë së Veriut jashtë vendit, Portalb.mk ka shkruar edhe më herët. 

Momentalisht, nga gjithsej 13 arsimtarë të dërguar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në diasporë në përgjithësi, vetëm 3 janë shqiptarë.

Kujtojmë se, sipas Ligjit për arsim fillor, për fëmijët e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut që banojnë në jashtë vendit, organizohen orë mësimore për të mësuar gjuhën dhe kulturën maqedonase, ndërsa për anëtarë të komuniteteve që flasin një gjuhë tjetër përveç gjuhës maqedonase, në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut ju organizohet mësim në gjuhë amtare.