Lumturia: Globalisht dhe ndër ne (I)

“Lumturia arrihet vetëm nëpërmjet një jete të virtytshme.”

Averroes

Një nga elementet më të rëndësishme, ndoshta më i kërkuari dhe më i synuari i jetës së njeriut është lumturia, të cilën Aristoteli e ka quajtur eduaimonia, ndërsa lidhet edhe me fjalën tjetër greke hēdonē (qejf). Po çfarë në fakt është lumturia? Në psikologji nënkupton të ndierit e vetes mirë, shëndetin cilësor mendor, krijimin e raporteve kënaqësidhënëse, të jetuarit e një jete të kuptimtë, të ndierit e vetes i suksesshëm dhe marrja me punë në të cilat ndien kënaqësi. American Psychologic Organization e definon lumturinë si emocion gëzimi, ngazëllimi, satisfaksioni dhe mirëqenieje (an emotion of joy, gladness, satisfaction, and well-being). Disa e përkufizojnë atë si gjendje dhe përvojë emocionale pozitive si hareja, gazmendi dhe dëfrimi. Sipas Encyclopedia Britannica-s lumturia është vlerësim pozitiv i të arriturave jetike si një e tërë, me një fjalë është gjendje e buzëqeshjes (smile). Ajo nënkupton mirëqenien subjektive, por që varet edhe nga prediktorë si të ardhurat, ushqimi, punësimi, banimi, siguria, shëndeti, marrëdhëniet sociale, të drejtat e njeriut etj. Sipas Denier (1984) janë tre lloje kryesore të lumturisë: kënaqësia e lartë me jetën, ndjenjat pozitive frekuente dhe ndjenjat negative jo të shpeshta.

Më 20 mars të këtij viti, në Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë, u publikua Raporti Botëror i Lumturisë 2024 (The 2024 World Happinnes Report), një listë e 143 vendeve të radhitura në bazë të ndjenjës së lumturisë subjektive, matur me vlerësimin vetjak të përgjigjësve. Ky raport i shpallur për herë të parë para 12 viteve nga Rrjeti për Zgjidhje për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDSN) pranë OKB-së, bazohet në projeksionin e njerëzve për lumturinë e tyre, si dhe në të dhëna ekonomike dhe sociale. Raporti analizon gjashtë faktorë determinantë: mbështetjen sociale, të ardhurat (GDP per capita), pritjet për një jetë të shëndetshme (fizike dhe mentale), lirinë për zgjedhje jetike, bujarinë (bamirësia) dhe korrupsionin (e politikave qeveritare dhe biznesore).

Gjetjet kryesore të këtij raporti të bazuar në hulumtimin e Gallup World Poll (Sondazhi  Global i Gallupit) dhe The Oxford Wellbeing Research Centre (Qendra e Oksfordit për Hulumtim të Mirëqenies) me 100.000 respondentë nga shkalla 1 deri më 10, janë se nuk ka ndonjë ndryshim në dhjetë vendet e para në listë, se vendet nordike dominojnë në shkallaren e lumturisë indviduale dhe të përhapur në korniza shoqërore. Finlanda, Danimarka janë dy të parat, ndërsa në top 10 janë edhe Suedia dhe Norvegjia. Nga rajoni i ish-Jugosllavisë vendi më i lumtur është Sllovenia, në vendin 21 dhe Kosova në vendin 29. Në këtë rrafsh do përmendur se vendet më të vogla qëndrojnë më mirë se ato me popullatë dhjetëra, qindramilionëshe. Në top njëzetëshin vetëm Kanadaja dhe Mbretëria e bashkuar kanë popullatë më të madhe se 20 milionë. Serbia gjendet në vendin 37, Kroacia është e 63, Greqia e 64, Bosnja në atë 65, Mali i Zi në pozicionin 76 dhe Bullgaria në vendin 78 në aspekt të lumturisë.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut janë ndër njerëzit më të pakënaqur në Evropë, sipas Indeksit Global të Lumturisë; RMV renditet e 84-ta. Megjithatë, kjo paraqet një përmirësim prej tre vendesh krahasuar me vitin e kaluar. Nga rajoni më keq renditet vetëm Shqipëria, pra në vendin e 87-të. Në Evropë, nga ana tjetër, Ukraina renditet më së keqi, në vendin e 105-të, me gjasë si pasojë e luftës që po zhvillohet atje.

Rritja më e madhe të indeksit të lumturisë nga viti 2021 deri në vitin 2024, krahasuar me periudhën 2016-2010, është shënuar në Serbi, Bullgari dhe Letoni, ndërsa rënien më të madhe e kanë pasur Afganistani, Libani dhe Jordania. Afganistani renditet i fundit nga 143 vende. Gjermania dhe SHBA-të nuk janë në top 20 për herë të parë në më shumë se 10 vjet, pasi ranë në vendin e 23-të dhe 24-t, ndërsa Kosta Rika dhe Kuvajti hynë në 20-shen më të lumtur të këtij viti. Turqia në këtë renditje qëndron keq, në vendin 98 në indeksin e përgjithshëm të lumturisë, dhe në vendin 101 sa i përket rinisë. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.